Kreu i Kishës Ortodokse Ruse, Patriarku Kirill, bën pjesë në listën e individëve që do të përfshihen në raundin e gjashtë të sanksioneve kundër Rusisë të propozuara nga Bashkimit Evropian, sipas dy burimeve që kanë parë dokumentet e plota, shkruan CNN.
Drafti i propozuar u është dërguar ambasadorëve përkatës për shqyrtim, thanë burimet. Në këtë fazë, emrat mund të hiqen ose shtohen sipas gjykimit të shteteve anëtare, tha një burim nga Komisioni i BE-së.
Të mërkurën, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen propozoi një sërë masash që përfshijnë gjithashtu një tjetër ndalim të naftës ruse.
Gjatë një interviste këtë javë, Papa Françesku kritikoi Kirillin për miratimin e arsyeve të deklaruara të Rusisë për pushtimin e Ukrainës, duke e paralajmëruar atë që të mos bëhet “pjesë e altarit të Putinit”.
Në përgjigje, Kisha Ortodokse Ruse tha se Papa Françesku kishte përdorur “tonin e gabuar” në karakterizimin e takimit të tij me Patriarkun Kirill.
“Deklarata të tilla nuk kontribuojnë në vendosjen e një dialogu konstruktiv midis Kishës Katolike Romake dhe Kishës Ortodokse Ruse, i cili është veçanërisht i nevojshëm në këtë kohë”, thuhet në një deklaratë të Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë të Patriarkanës Ruse.
Çfarë po thotë Rusia: Sanksionet janë jashtë lidhjes me “logjikën”, tha të mërkurën zëdhënësi i Kishës Ortodokse Ruse, Vladimir Legoida, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS./albeu.com