Pashkët, Kim, Shkurov dhe Veliaj vizitojnë ukrainasit e strehuar në vendin tonë

Me rastin e festës së Pashkëve, ukrainasit e strehuar në vendin tonë janë vizituar ditën e sotme nga kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov dhe ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim.

Shkurov tha në fjalën e tij për mediat se gjatë rrugës kishte parë një grua të moshuar që po gatuante kulaçin tradicional të Pashkës duke shtuar se edhe nëse festa vjen në një moment jo shumë të gëzueshëm ajo prapë duhet festuar.

“Dua të drejtohem tek të gjithë me një fjalë shumë të thjeshtë që për ne ka shumë kuptim, Krishti u ngjall. Unë kam qenë shumë i emocionuar nga një pamje që kam parë duke ardhur këtu. Ishte një gjyshe e vjetër e cila në rrënojat e shtëpisë së saj po gatuante paskën, kuliçin tradicional të Ukrainës. Dhe ajo tha që pasi festa nuk është shumë e gëzueshme por prapë duhet festuar”, tha Shkurov.

Nga ana tjetër Kim tha se ishte emocionuar kur kishte parë fëmijë që kërcenin, teksa shkonte të takonte ukrainasit.

“Ndjeva shumë gjëra kur pashë fëmijët duke kërcyer kur mbërritëm këtu. Ky është një moment i errët dhe mbrëmë, nuk e di për ju, por doja të shkoja në kishë për të festuar meshën e Pashkëve. Dhe në ato momente kur ne të gjithë kishim qirinjtë të ndezur, mendova se si të gjitha zemrat tona anembanë botës rrihnin së bashku si një, me çdo njeri në Ukrainë”, përfundoi Kim./albeu.com