Pas tragjedisë në Himarë, Gledis Nano lë pa pushime efektivët në zonat turistike

 

Pas ngjarjes  së rëndë në Himarë, ku humvi jetën 7-vjeçarja Jonada Avdia, e cila u përplas nga skafi në drejtimin e të cilit ishte një efektiv policie, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano ka marrë së fundmi një vendim për efektivët e strukturave bregdetare.

Mësohet se Gledis Nano ka pezulluar të gjitha lejet për punonjësit e strukturave të policisë për vijat bregdetare dhe zonat turistike, deri në përfundimin e sezonit turistik me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në plazhe dhe vendosjen e policisë në dispozicion të plotë.

Për pasojë Nano ka kërkuar që strukturat përgjegjëse të policisë të jenë në gatishmëri dhe në dispozicion të plotë për mbarëvajtjen e sezonit turistik.

Vetë drejtori i Policisë së Shtetit, ka zbritur në terren duke kryer kontrolle të imtësishme dhe vëzhguar punën e strukturave të policisë./albeu.com