Komuna e Prishtinës ka hequr nga qendra e kryeqytetit flamurin me mbishkrimin “Free Ukraine” (Liri për Ukrainën), pas deklaratës së bërë një ditë më parë nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kundër pavarësisë së Kosovës.
Flamuri ishte vendosur pas shpërthimit të luftës, si shenjë solidariteti me Ukrainën.
Të lidhura
None found
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale, duke deklaruar: “Shteti i Kosovës duhet të respektohet. Kur Kosova nuk respektohet, kryeqyteti, Prishtina përgjigjet gjithmonë njëjtë”.
Sipas Ramës, populli i Kosovës tregon gjithmonë solidaritet me popujt që përballen me dhunë, luftë dhe persekutim, sepse “e dimë çfarë do të thotë të luftosh për liri, dinjitet dhe të drejtën për të ekzistuar si shtet”.
“Por, asnjë kauzë dhe asnjë politikë nuk mund të ndërtohet duke nënçmuar shtetësinë e Kosovës dhe sakrificën e popullit të saj”, shtoi ai.
Gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Beograd, Zelensky deklaroi se Ukraina nuk e ka ndryshuar qëndrimin për mosnjohjen e Kosovës. Ai tha gjithashtu se vendi i tij respekton integritetin territorial të Serbisë dhe të drejtën ndërkombëtare.
Presidenti ukrainas u shpreh se Ukraina i është mirënjohëse Serbisë për respektimin e integritetit territorial të saj, përfshirë Krimenë, të cilën Rusia e aneksoi në mënyrë të paligjshme më 2014.
Edhe pse Kievi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, Prishtina është rreshtuar përkrah sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë. Kosova gjithashtu ka strehuar gazetarë ukrainas që u larguan nga vendi i tyre si pasojë e luftës.
