Vrasja e 13-vjeçares shqiptare Aurora Tila në Itali, ka marrë një kthesë të re, pasi ish-i dashuri i saj ka ndryshuar dëshminë dhe ka pranuar se ishte ai që e shtyu nga ballkoni i banesës në Piacenza.
17-vjeçari, i cili në kohën e ngjarjes ishte 15 vjeç, e bëri rrëfimin gjatë seancës së Apelit, duke hequr dorë nga pretendimi i mëparshëm për pafajësi.
Të lidhura
None found
Sipas mediave italiane, ai pranoi se kishte shkaktuar vdekjen e vajzës më 25 tetor 2024.
I riu u shfaq përmes një lidhjeje video nga burgu i të miturve në Catanzaro, ku po vuan dënimin pas vendimit të shkallës së parë, që e dënoi me 17 vite burg.
Gjatë seancës, ai kërkoi falje për veprimin e tij dhe për kohën e gjatë që kaloi pa treguar të vërtetën. Gjykata ndërkohë ka kërkuar një raport mbi sjelljen e tij në institucionin e vuajtjes së dënimit, pasi ndaj tij janë raportuar edhe çështje të tjera.
Emri i të riut nuk është bërë publik për shkak se ai është i mitur.
Avokati që përfaqëson nënën e Aurorës, Emilio Malaspina, e cilësoi rrëfimin si një hap të rëndësishëm në proces, ndërsa kërkoi që vendimi i shkallës së parë të merret në konsideratë.
Ngjarja ndodhi më 25 tetor 2024 në Piacenza të Italisë, ku 13-vjeçarja Aurora Tila humbi jetën pas rënies nga një ballkon.
