Pas mbylljeve të sezonit të korrjeve fermerët shtrenjtojnë qumështin; Fabrikat paralajmërojnë tjetër rritje të çmimeve të bulmetit

Shtrenjtohet sërish nga fermerët qumështi për fabrikat e përpunimit. Pas 15 korrikut qumështi i lopës është rritur 7,5%, qumështi i dhisë 15% dhe qumështi i deles 8%.

Për shkak të shtrenjtimit të qumështit operatorët paralajmërojnë rritje tjetër të produkteve të bulmetit që do të nisë nga 5%. Kompanitë përpunuese janë në vështirësi për gjetjen e qumështit në vend, pasi prodhimi është me rënie. Mungesa e qumështit është krijuar nga shtrenjtimi i lëndëve ushqyese për kafshët.

Përfaqësuesi i fabrikës së përpunimit të qumështit “Vita” Taulant Pupa tha për “Monitor” se shtrenjtimi i qumështit ka ardhur nga ngritja e çmimit të bazës ushqimore pas përfundimit të sezonit të korrjes së grurit. Pupa pohon se fabrikat janë të detyruara të blejnë qumësht pavarësisht çmimit të lartë, pasi aktualisht e kanë të pamundur të përballojnë kërkesën, por edhe të magazinojnë produkte.

“Kjo situatë ishte paralajmëruar edhe më parë. Ishte e pritshme të kishte një tjetër rritje të çmimit të qumështit pas përfundimit të sezonit të korrjeve të grurit. Për shkak të rritjes së çmimit të naftës, por edhe të inputeve bujqësore lënda ushqyese e kafshëve është rritur 60%. Nëse më parë çmimi për lidhjen e topit të kashtës ishte 50 lekë këtë vit arriti në 80 lekë. Për këtë arsye çmimi i qumështit është rritur deri 15%. Konkretisht çmimi i qumështit të lopës nga 54 lekë pas 15 korrikut u rrit në 58 lekë për litër (rritja 7,5%). Deri në fund të muajit gusht parashikohet të arrijë në 63 lekë për litër. Qumështi i dhisë nga 65 lekë arriti në 75 lekë për litër (rritja 15%) dhe qumështi i deles nga 115 lekë në 125 lekë për litër (rritja 8%). Për qumështin e deles parashikohet të ketë mungesa, pasi është drejt përfundimit”, pohoi ai.

Shtrenjtimi i qumështit ka shtuar kostot e prodhimit për këtë arsye kompania “Vita” ka bëre gati çmimet e reja të produkteve të bulmetit që nisin nga 5% më shumë se muaji prill. “Brenda pak ditësh pritet të dalim në treg me çmimet e reja. P.sh djathi i lopës është shtrenjtuar 5% nga 550 lekë për kg në 580 lekë. Ndërsa çmimet e produkteve të tjera, jemi ende duke i rishikuar, sesi do të jetë rritja, pasi duhet të jemi të kujdesshëm për konsumatorët. Nuk kërkojmë që produktet e bulmetit të kthehen në produkte luksi”, veçon Taulant Pupa.

Kjo është hera e dytë brenda këtij viti që kompania rrit çmimet e produkteve të bulmetit. Më 25 prill fabrika e qumështit “Vita” rriti çmimet për produktet, si: kos, djath dele dhe lope nga 9 deri 11%. Ndryshimi erdhi për shkak të shtrenjtimit të qumështit të fermerit.

Situata është e ngjashme edhe për operatorë të tjerë. Për këtë vit shumë fabrika të përpunimit të qumështit kanë rritur 2 apo 3 herë çmimet e bulmetit. Kosi Morava është shtrenjtuar ditët e fundit kosin me shishe, nga 220 në 260 lekë, ose 18% më shumë.

Në fillim të qershorit Erzeni shtrenjtoi çmimet me 15% dhe është në dilemë nëse do të reflektojë dhe rritjen e fundit të kostove, për shkak të efektit që mund të kishte në konsum.

Sipas INSTAT, në vitin 2021, sasia gjithsej e qumështit të grumbulluar rezulton rreth 115 mijë tonë. Sipas llojit, sasia e grumbulluar e qumështit të lopës është rreth 94 mijë tonë, sasia e grumbulluar e qumështit të deles është 13 mijë tonë dhe sasia e grumbulluar e qumështit të dhisë është rreth 8 mijë tonë.

Krahasuar me vitin 2020, sasia e grumbulluar e qumështit të lopës paraqitet me rënie 7,4%, ndërsa sasia e grumbulluar e qumështit të deles dhe dhisë paraqitet me rritje përkatësisht me 26,3% dhe 8%./Monitor


Shtuar 19.07.2022 08:12