“Pas Johnson dhe Draghi kush do të jetë i radhës?”, ish-presidenti rus ironizon situatën e Britanisë dhe Italisë

Ish presidenti rus Dmitri Medvedev ka shpërndarë një postim në Telegram ku dhe ka reaguar për dorëheqjen e kryeministrit italian, Maroi Draghi.

“Skifteri” i Vladimir Putinit dhe nënkryetari aktual i Këshillit të Sigurisë Ruse postoi një imazh të kryeministrit britanik në largim Boris Johnson, i ndjekur nga një i Draghit dhe një kuti e tretë bosh me një pikëpyetje. Një referencë e qartë për pyetjen, kush do të jetë i radhës që do të bjerë.

Ditët e fundit Medvedev kishte reaguar pas dorëheqjes së kryeministrit britanik duke shkruar sërish në Telegram: “Miqtë më të mirë të Ukrainës po largohen. Fitorja është në rrezik! E para ka ikur…”.

Qeveria italiane e Mario Draghit është rrëzuar. Kryeministri italian dha dorëheqjen pas krizës politike të krijuar nga largimi i ‘Lëvizja 5 Yje’. Kjo ngjarje erdhi pasi Draghi fitoi mocionin e mosbesimit. Dorëheqja është dorëzuar në tavolinën e Presidentit Sergio Mattarella që nuk e ka pranuar atë. Ai ka kërkuar që të paraqitet në parlament për një tjetër votëbesim ditën e mërkurë. Draghi këmbëngul se nuk do ta vazhdojë qeverinë pa Lëvizjen Pesë Yjet./albeu.com