Pas Iranit, edhe në Afganistan helmohen vajza nëpër shkolla, nuk dihet kush qëndron pas ngjarjes

Rreth 60 vajza afgane u helmuan në shkollën e tyre në Afganistanin verior, tha policia lokale të hënën, pa konfirmuar se kush qëndron pas incidentit ose çfarë substance është përdorur.

Autoritetet thanë se vajzat u dërguan më pas në spital dhe po shërohen në “gjendje të mirë”. Helmimi, i cili kishte në shënjestër shkollën e vajzave në provincën Sar-e-Pol të Afganistanit, vjen pas një goditjeje ndaj arsimit të vajzave në vendin e shkatërruar nga lufta që kur talebanët morën pushtetin.

“Disa persona të panjohur hynë në një shkollë vajzash… në lagjen Sancharak… dhe helmuan klasat, kur vajzat erdhën në klasa u helmuan”, tha Den Mohammad Nazari, zëdhënësi i policisë Sar-e-Pol. Ai nuk specifikoi se çfarë lënde është përdorur apo kush besohet të jetë pas incidentit.

Zëdhënësi i policisë konfirmoi gjithashtu se askush nuk është arrestuar ende. Talibanët kanë ndaluar shumicën e vajzave adoleshente nga shkolla përtej klasës së gjashtë deri në universitet. Grave u ndalohen gjithashtu hapësirat publike, përfshirë parqet, dhe shumica e formave të punësimit.

Gjatë qeverisë së mëparshme të Afganistanit të mbështetur nga jashtë, disa sulme helmuese, duke përfshirë sulme të dyshuara me gaz, kishin ndodhur në shkollat e vajzave.

Administrata talebane ka ndaluar shumicën e studentëve femra nga shkolla e mesme dhe universiteti që kur mori detyrën në vitin 2021, duke shkaktuar dënime nga qeveritë ndërkombëtare dhe shumë afganë. Autoritetet talebanë i kanë mbajtur shkollat fillore të hapura për vajzat, deri në moshën rreth 12 vjeç, dhe thonë se favorizojnë arsimimin e grave në kushte të caktuara.

Incidenti në Afganistan pason një varg sulmesh me helm në shkollat e vajzave në Iranin fqinj, ku numri i helmimeve në shkollat e vajzave ka prekur më shumë se 13,000 nxënëse që nga nëntori.


Shtuar 5.06.2023 11:08