Pas Elbasanit, kreu i qeverisë këtë pasdite është ndalur në Lezhë. Edi Rama mori pjesë në takimin me organizatat e Partisë Socialiste.
Në fjalën e tij përpara të pranishmëve të PS-së kryesocialisti e vuri theksin te hapja e partisë.
“Partia Socialiste duhet të provojë që është e hapur për të gjithë.”
Përgjegjësia e PS, nënvizoi Rama është që ta bëjë të pakthyeshëm progresin e bërë në drejtësi, në rang ndërkombëtar apo në ekonomi.
“Partia Socialiste ka një përgjegjësi të madhe historike mendoj unë, sot që flasim, sepse gjithë këtë progres që është bërë, i cili është një progres që duhet të vazhdojë, duhet ta garantojë dhe ta bëjë të pakthyeshëm në drejtësi, në ekonomi, në pozicionin ndërkombëtar të Shqipërisë. Për çfarë e bëjmë ne këtë proces”, deklaroi Rama.
Rama tha se duhet bërë vetëkritikë dhe vetëpërmirësim në kushtet kur “sipas tij nuk janë të sfiduar nga një kundërshtar”.
“Ne e bëjmë këtë proces sepse për mua, them që duhet ta bëjmë me shumë vetëdije vetëkritikën tonë dhe vetëpërmirësimin tonë në kushtet kur ne nuk jemi të sfiduar nga një kundërshtar përballë”, tha Rama.
Kryesocialsiti Rama ka zbritur vetë në terren dhe ka nisur turin e takimeve me organizatat e Partisë Socialiste në të gjithë Shqipërinë për t’u përgatitur për zgjedhjet e 2025. Në fokus të këtyre takimeve është procesi i rienergjizimit të PS-së, porosi të cilën Rama e la me prioritet për drejtuesit e qarqeve në mbledhjen e Asamblesë së 21 shkurtit, duke kërkuar anëtarësime të reja./albeu.com