Metereologia e njohur Lajda Porja, teksa ishte e ftuar në emisionin “Wake Up”, ka bërë një parashikim të motit dhe temperaturave për stinën e verës.
Porja u shpreh se muaji qershor, është më i nxehti ndër vite dhe se jemi përpara një vere me temperatura ekstreme.…
E pyetur nëse do të ketë “vetëm temperatura të larta dhe diell apo do të ketë dhe rrebeshe shiu”? – Porja u shpreh se do të ketë rrebeshe që do zgjasin pak minuta, e më pas rikthehen orët me diell.
“Zona e juglindjes që unë e kisha të shënuar me ngjyrën pink dhe portokalli, patjetër rrezikojnë, janë rrebeshe ose reshje konvektive. E gjithë ajo pjesa që është kafe do të thotë që janë zona shumë të thata. Elbasan, Berat, Gjirokastër dhe qarku i Korçës parashikohet të ketë rrebeshe në formë konveksioni. Që do të thotë është rrebesh që zgjat për disa minuta, po marr maksimumin 50 minuta dhe më pas ka sërish diell dhe temperatura të larta.
Megjithatë, fenomenet më ekstreme do t’i presë Spanja, do ketë kryesisht Italia dhe disa zona në qendër të Europës, për shkak edhe të temperaturave mjaft të larta që kanë nisur prej disa ditëve”, tha metereologia.
Porja gjithashtu, dha edhe një këshillë për të gjithë personat që nuk e kanë të nevojshme të lëvizin, të qëndrojnë në shtëpi në orët e pikut.
Ajo shtoi se në mëngjes është mirë që të dalësh para orës 9, ndërsa mbrëmjeve rreth orës 19.00 – 20.00.
“Është edhe ora e pikut 11.30-14.30, flitet për moshat e treta, për fëmijët, për të gjithë ata që nuk e kanë të nevojshme të lëvizin, është mirë që të mos lëvizin në orët e pikut. Në fakt valët e të nxehtit janë fenomeni që kanë numrin më të lartë të fataliteteve. Prandaj janë quajtur ‘vrasësi i heshtur’ sepse 2023 ka patur numrin më të lartë nga valët e të nxehtit”.