Ish-kryeministri Sali Berisha ka zbuluar orën e protestës që do të mbahet më 6 Dhjetor në Tiranë, ditë kjo kur kryeqyteti shqiptar do të presë liderët e Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor.
Ai tha se protesta do të nisë në orën 12:00 ndërkohë që i bëri thirrje biznesmenëve të bëhen pjesë dhe të mos ndalojnë punonjësit e tyre të dalin në shesh kundër qeverisë së Edi Ramës.
Berisha shtoi se kjo protestë do i gjejë demokratët më të mobilizuar se kurrë për t’i treguar liderëve të Bashkimit Europian problemet me të cilat qytetarët shqiptarë përballen çdo ditë.
“Në burg i kishte bërtitur dy ditë më parë Mithat Hazbiut, për faktin se i kishte thënë pse vjen këtu dhe nuk shkon në Shkodër ku ka përmbytje. Humbet kontrollin dhe u thotë gardistëve në burg. Është një shembull nga më mikroskopikët nga qëndrimet e tij. Duam t’i japim rëndësi të jashtëzakonshme kësaj proteste. Zëri i popullit opozitar duhet të jetë paralele me zërin e përgjegjësit kryesor të dramës shqiptare që zhvillohet në dete dhe vende të tjera këtë periudhë.
Edi Rama de facto ka shkatërruar dhe shkatërron këtu vlerat europiane. Edi Rama është absolutisht përgjegjës penalisht për vepra të cilat shkojnë dhjetëra vjeçar, meritojnë dënime. A mund ta lërë opozita shqiptare pa paraqitur atë ditë të gjithë problematikën me vërtetësi. Të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kurrë nuk mund ta lërë. Unë kam bindjen se protesta jonë do të mirëpritet në mbarë opinionin publik dhe botëror dhe nga liderët e këtyre demokracive që për arsyet e tyre janë të mirësardhur në Shqipëri. Nuk ka asnjë diskutim.
Nga ana tjetër kjo përshëndetje e jona nuk ka asnjë lidhje me mikpritësin e tyre Edi Rama. Kjo përshëndetje e jona për një nderim që u bëjnë qytetarëve shqiptarë dhe mundësinë për të paraqitur problematikat më të mëdha që ka sot Shqipëria. Asnjë prej tyre në jetën e tij nuk u ka bërë thirrje policëve dilni mblidhni vota. Asnjë prej tyre nuk ka ndërtuar narkoshtet si Edi Rama. Këto janë të vërteta. Nuk i kemi shpikur ne. Janë analistë botërorë që i konstatojnë. Asnjë prej tyre nuk ka shkelmuar interesat botërore të vendit të tij. Asnjë prej tyre nuk ka vrarë shpresën e qytetarëve të tij dhe t’i kthejë në popull gomonesh. Protesta jonë është një mesazh i fuqishëm i shqiptarëve që ne nuk pajtohemi me këto. Ne qëndrojmë për vlerat europiane, për një Shqipëri të standardeve demokratike, të votës së lirë.
Ai që përfaqëson, ai që është sot kryeministër. Është një fatkeqësi kombëtare. Do të jemi në shesh. Kësaj radhe më të mobilizuar se kurrë. Sepse ditë pune është, ora 12 është. Por kur të thërret koha nuk ka asnjë apel. Kohës i përgjigjesh gjithnjë pa apel. Është forcë madhore. Këto data janë caktuar nga të tjerë. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Tiranës, binzesnesmëve të Tiranës, të martën në 12:00 të gjithë në bulevard. Në rast se nuk vini vetë mos pengoni punonjësit tuaj”, tha Berisha.