Partitë shqiptare në opozitë ngrenë dyshimet për rezultatin e regjistrimit të popullsisë

Aleanca për Shqiptarët kërkon largimin e 132 mijë qytetarëve nga numri i përgjithshëm i popullatës në Maqedoni të Veriut, shkruan Alsat.

Sipas tyre, kjo shifër është manipuluar dhe vendosur në numrin e përgjithshëm pa plotësuar kriteret ligjore për deklarim.

“Ne duhet t’i heqim dhe të mos të mos i llogarisim në regjistrimin e popullsisë këto 132 mijë banorë të cilët aty janë të regjistruar në kundërshtim me ligjin në mënyrë që deri diku të jemi në shifra të pranueshme për regjistrim”, deklaroi Ziadin Sela, Kryetar i ASH-së.

Lëvizja Besa dyshojnë se rezultatet e regjistrimit janë pazar politik mes LSDM-së dhe BDI-së. Sipas Arjanit Hoxhës, pengesat që kishte diaspora gjatë procesit të regjistrimit i humbin besueshmërinë rezultateve të regjistrimit.

“Nëse nisemi nga të dhënat statistikore nga ky regjistrim del në pah një e vërtetë e madhe që në mënyrë të vazhdueshme e kemi ngritur si shqetësim dhe ajo është që të gjithë këto vite sa ka qeverisur BDI-ja, shqiptarët janë larguar masovikisht nga vendlindja”, u shpreh Arjanit Hoxha, Sekretar i Lëvizjes Besa.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti tha se rezultati i regjistrimit është pranuar nga institucionet relevante dhe se i njëjti nuk duhet politizuar.

“Do të kisha dashur të apeloj tek të gjithë faktorët politik, të mos e politizojnë dhe të mos e elektrizojnë situatën në mes të etnive”, tha Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja Besa dhe BDI shprehen të gatshëm që në suaza të ndryshimeve kushtetuese të kushtëzojnë miratimin e tyre me largimin e përcaktimit 20 për qind me shqiptarë dhe gjuhë shqipe. /Alsat.mk


Shtuar 31.03.2022 14:51