Ka përfunduar mbledhja e Partisë së Lirisë e cila u mblodh në formë urgjente pas arrestimit të kreut të tyre, Ilir Meta. PL ka reaguar me një postim të gjatë ku kanë shprehur qëndrimin e tyre të përpiluar në 7 pika kryesore.
Deputetët me në krye nënpresidenten Erisa Xhixho dhe sekretarin e përgjithshëm të PL, Tedi Blushi, kanë dënuar ashpër arrestimin e Metës duke e quajtur një akt terrorist dhe një dënim politik hakmarrës i Edi Ramës.
Në postim shkruhet se janë shkelur të drejtat themelore të njeriut dhe dinjitetit njerëzor, një dënim politik që shfryn urrjetje dhe konfirmon se drejtësia nuk funskionon. Ata gjithashtu kanë thënë se Edi Rama bashkëpunon hapur me kreun e SPAK Altin Dumanin, me qëllim për të zhdukur opozitën dhe pluralizmin politik.
Partia e Lirisë ka treguar se do të vazhdojë të çojë përpara aksionin politik nën qeverisjen e Ilir Metës për të luftuar narkoshtetin dhe për t’i ofruar qytetarëve alternativën më të mirë qeverisëse.
Reagimi i plotë:
QËNDRIM I KRYESISË TË PARTISË SË LIRISË
Kryesia e Partisë së Lirisë, e mbledhur sonte më datë 21 tetor 2024, shpreh qëndrimin e saj, si më poshtë vijon:
1. Dënon me ashpërsinë më të madhe aktin shumë të rëndë kriminal terrorist të rrëmbimit dhe arrestimit politik, në mënyrë jo ligjore, të dhunshme dhe në shkelje të hapur të dinjitetit njerëzor dhe qytetar të një figure të lartë publike, si ish-Kryeministri, ish-Kryetari i Kuvendit, ish-Presidenti i Republikës dhe Presidentit aktual të Partisë së Lirisë, z.Ilir Meta.
2. Ky akt terrorist kriminal i urdhëruar nga Edi Rama në Kongresin e Partisë Socialiste dhe i vënë sot në zbatim nga struktura kriminale terroriste SPAK, konfirmon atë që kemi denoncuar prej kohësh se në Shqipëri ka rënë shteti ligjor dhe se sistemi i drejtësisë është i kapur për fyti dhe funksionon sipas një regjie, vetëm për llogari të interesave elektorale dhe politike të Narkoshtetit dhe Edi Ramës.
3. Arrestimi politik i Presidentit të Partisë së Lirisë, z.Ilir Meta, pa fakte, pa prova dhe pa dëshmi konfirmon se drejtësia nuk funksionon mbi bazën e parimeve kushtetuese dhe të së drejtës, por mbi bazën e urrejtjes, hakmarrjes primitive, urdhrave politikë dhe metodave policeske të një shteti diktatorial.
4. Edi Rama dhe Altin Dumani, me aktin e sotëm terrorist kanë kaluar vijat e kuqe duke i shpallur luftë të hapur opozitës, me qëllim asgjesimin e saj, të pluralizimit politik dhe demokracisë.
5. Presidenti i Partisë së Lirisë, z.Ilir Meta është sot i burgosur politik për shkak të qëndrimeve të tij shumë të drejta institucionale, politike, patriotike dhe qytetare në mbrojtje të interesit kombëtar dhe sovranitetit të Republikës së Shqipërisë, të çështjes së Detit dhe të mbrojtjes së pakompromis të kufijve të Kosovës, si dhe për shkak të denoncimit të pakompromis të inkriminimit dhe korrupsionit skizofrenik të Edi Ramës, Narkoshtetit dhe Narkodrejtësisë.
6. Kryesia Politike e Partisë së Lirisë duke shprehur solidaritetin e plotë me Presidentin e burgosur politikisht, z.Ilir Meta, vijon aktivitetin politik nën drejtimin e Tij pavarësisht gjendjes së tij juridike.
7. Partia e Lirisë është e vendosur të intensifikojë shumëfish aksionin e saj politik dhe në terren për denoncimin e krimeve dhe korrupsionit skizofrenik të Narkoshtetit, për t’i ofruar një alternativë mirëqeverisjeje, të drejtë e humane të gjithë shqiptarëve nëpërmjet 5 Prioriteteve të saj për 4 milion shqiptarë plus.