Parlamenti në flakë, Rama: Nuk bashkëpunojmë me “non gratën”, presim drejtësinë të bëjë drejtësi

Kryeministri Edi Rama, në një konferencë me gazetarët të zhvilluar ditën e

sotme, është ndalur te tensionet që kanë përfshirë sallën e parlamentit gjatë javëve të fundit. Në seancën e fundit ku ishte parashikuar të diskutohej buxheti, salla e kuvendit u përfshi nga tymi dha flaka për shkak të flakadanëve të ndezur nga deputetët opozitarë. Kreu i qeverisë tha se do të presin që drejtësia të bëjë drejtësi.

Rama: Ne nuk bashkëpunojmë me “non gratën” dhe me asnjë zëdhënës të tij. Non grata dhe zëdhënësit e tij që kanë marrë përsipër që për një hall krejtësisht personal me drejtësisë e re, të kthejnë parlamentin në një shesh për të bërë përshesh dhe i gëzohen faktit se ndezja e flakadanëve merr dhenë në të gjitha mediet e botës, janë në të drejtën e tyre të bëjnë zgjedhjet e tyre. Parlamenti ka rregullat e veta dhe kufizimet e veta sepse në kushtet kur rregullorja e Parlamentit përcakton si masën më ekstreme përjashtimin vetëm për 10 ditë edhe të një zjarrvënësi, ne nuk na mbetet asgjë tjetër përveçse me qetësi dhe durim, presim që drejtësia të bëjë drejtësi mbi ata që pengojnë ushtrimin e detyrës të të tjerëve.

Rama tha se nuk mund të ngrihen komisione hetimore (të kërkuara nga opozita) në thashetheme që i kanë përhapur vetë.

Rama: Thashethemet që i ke përhapur vetë nuk mund të kthehen në një komision hetimor. Ne e kemi thënë që është koha të rishikojmë ligjin për Komisionet hetimore duke marrë parasysh eksperiencën e gjithë këtyre viteve dhe dështimet e komisioneve gjatë gjithë këtyre viteve./albeu.com


Shtuar 24.11.2023 14:21