Parlamenti Evropian kërkon të hetohet Várhelyi: Dyshime se mbështeti liderin serb të Bosnjës

Parlamenti i BE-së i ka kërkuar Komisionit të BE-së të kryejë “një hetim të pavarur dhe të paanshëm” ndaj Olivér Várhelyit.

Sipas politikanëve të PE, Várhelyi “qëllimisht kërkon të anashkalojë dhe zvogëlojë rëndësinë thelbësore të reformave demokratike dhe të sundimit të ligjit në vendet që i bashkohen BE-së”, citon drafti. Várhelyi raporton në Parlamentin Evropian dhe për Shqipërinë dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Komisioni pritet të kryejë një hetim të pavarur për të sqaruar nëse “sjellja e komisionerit dhe politikat që ai mbështet shkelin kodin e sjelljes për anëtarët e Komisionit dhe detyrimet e komisionerit sipas Traktateve”.

Socialistët dhe Demokratët janë të alarmuar nga raportet se komisioneri Várhelyi qëllimisht kërkon të minojë qendrën e reformave demokratike dhe të sundimit të ligjit në vendet e anëtarësimit në BE.

Várhelyi vazhdimisht nënvlerëson sulmet e presidentit serb Vuçiç ndaj demokracisë dhe, dyshohet se ka ndihmuar edhe veprimet separatiste të Milorad Dodik në Bosnje dhe Hercegovinë (BiH), shkruan Euractiv.

Eurodeputeti socialdemokrat holandez Thijs Reuten, i cili hartoi mocionin, ka thënë se Parlamenti Evropian dëshiron të shohë qartë nëse komisioneri hungarez i BE-së “po e bën punën e tij pavarësisht nga çdo ndikim politik dhe duke marrë parasysh interesat e përgjithshme të BE-së”./Albeu.com/


Shtuar 18.01.2023 20:35