“Parla più piano”, tenori Mario Karaj rikthen këngën ikonike të dashurisë (VIDEO)

Në venat e tij rrjedh muzikë. E ka ne ADN, trashëguar nga një gjen nga ai më i miri. Pikërisht kështu sepse Mario Karaj, është i biri i tenorit të madh shqiptar Ruzhdi Karaj, që tani ndoshta admiron nga lart talentin shpërthyes të të birit, që me siguri do të dëshironte ta shihte në skenë. E Mario këndon edhe për të, me të bashkë. Ndryshe në tonalitetet e vokalit të tij potent nuk do të kishte kaq emocion, ndjenjë, që e kanë bërë tenorin e pasionit të prekë zemrat e kujtdo dëgjon një pjesë të kënduar prej tij.

E këtë herë mundësia është për të gjithë publikun, sepse Mario Karaj ka sjellë një këngë ikonike, në mënyrën e tij. Parla più piano, më e famshmja këngë e dashurisë, që bëri historinë e kinematografisë botërore kur Nino Rotta e kompozoi për “Il Padrino”, është kënduar fort nga Karaj, por pa e humbur misterin e fshehtësisë që evokon teksti.

Fuqi, butësi, romanticitet, të gjitha në një këngë që rrëfen me fjalë, zë e figurë, e sjellë nga një bashkëpunim elitar. Për realizimin e këtij versioni të “Parla piu piano”, Mario, ka punuar me emra të njohur si me tenorin me famë botërore Josif Gjipali, Enis Mullaj dhe Henri Koçin.

Një dashuri e pëshpëritur fort, e sjellë në mënyrë autentike nga pasioni i një tenori, që në këtë rrugë e udhëheq zemra, ashtu si aq herë e ka treguar si Drejtor i Përgjithshëm i Spitalit Amerikan.


Shtuar 9.08.2023 17:44