Parashikimi i motit 25 Mars 2024, vranësira dhe reshje shiu

Moti në vendin tonë, si pasojë e masave ajrore të paqëndrueshme, do të paraqitet nën mbizotërimin e vranësirave, ku herë pas here do të gjenerojnë shira të dobët dhe mesatarë.

Kjo situatë meteorologjike, do të vijojë deri pas mesditës kur pritet përmirësim i përkohshëm i kushteve atmosferike, duke risjellë kthjellime dhe vranësira të shpeshta.

Edhe gjatë natës, vendi ynë do të mbetet me alternime kthjellimesh dhe vranësirash të shpeshta por pa reshje.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie, si në vlerat minimale edhe në ato maksimale, duke luhatur vlerat ditore nga 1°C temperatura më e ulët e shënuar në qytetin e Ersekës, deri në 18°C vlera më e lartë për-gjatë Ultësirës Perëndimore.

Era do të fryjë e mesatarisht me shpejtësinë mbi 50 km/h nga drejtimi jugor dhe jugperëndimor, duke krijuar në brigjet e Adriatikut dhe Jonit dallgëzim mbi 4 ballë.


Shtuar 25.03.2024 07:30