Një ngjarje kriminale është parandaluar në një familje në Lezhë. Policia ka vënë në pranga një 40-vjeçar që ka kërcënuar me armë gjahu familjarët e tij, i ka dhunuar dhe u ka dëmtuar makinat.
Në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua arma e gjahut që u përdor për kanosjen. Shtetasi i arrestuar e mbante armën e gjahut, pa autorizimin përkatës në emër të tij.
Njoftimi i policisë:
Lezhë / Parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale, në familje.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Mbërritja”.
Kanosi me armë gjahu familjarët e tij, i dhunoi ata dhe iu dëmtoi automjetet, vihet menjëherë në pranga 40-vjeçari.
Sekuestrohet arma e gjahut që u përdor për kanosjen.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Rendit, pas marrjes së njoftimit se një shtetas po kanoste me armë gjahu familjarët e tij, dhe po i dhunonte ata, kanë organizuar menjëherë punën, kanë mbërritur në vendngjarje dhe në kuadër të operacionit “Mbërritja”, kanë ndërhyrë me qëllim parandalimin e një ngjarjeje të mundshme kriminale, në familje.
Si rezultat i operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi L. L., 40 vjeç, banues në Rrilë, Lezhë, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, “Dhuna në familje” dhe “Shkatërrimi i prones”.
Ky shtetas, në banesën e tij, në fshatin Rrilë, ka kanosur me armë gjahu, familjarët e tij, ka ushtruar dhunë fizike ndaj tyre dhe iu ka dëmtuar automjetet që ata kishin në pronësi. Nga veprimet e deritanishme hetimore, ka rezultuar se shtetasi L. L. iu kishte vjedhur familjarëve të tij, sende personale dhe i kishte shitur.
Në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua arma e gjahut që u përdor për kanosjen. Shtetasi i arrestuar e mbante armën e gjahut, pa autorizimin përkatës në emër të tij.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme./albeu.com