Mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës, këtë AgroWeb.org e ka theksuar vazhdimisht.
Të mirat e ushqyerjes së shëndetshme që në orët e para të ditës janë të larmishme.
Të lidhura
None found
Një prej tyre konfirmohet nga ekspertët gjermanë sipas të cilëve, heqja dorë nga mëngjesi edhe në raste të rralla, rrit rrezikun e diabetit të tipit 2.
Për arritjen e këtij konkluzioni, ekspertët analizuan të dhënat e mbi 96,000 personave.
Këto të dhëna treguan se heqja dorë nga mëngjesi një herë në javë rrit rrezikun e diabetit të tipit 2 me 6 përqind.
Kjo shifër rritet deri në 55 përqind nëse njeriu heq dorë nga mëngjesi 4-5 herë në javë.
Diabeti, Një Sëmundje Që Rrezikon Edhe Fëmijët
Mjekët në vendin tonë kanë vënë re një numër në rritje të rasteve të diabetit.
Vetëm në mesin e fëmijëve vërehen 25-30 raste të reja të diabetit të tipit 1 në vit.
Ndonëse statistikat nuk janë të plota, specialistët thonë se shkaku kryesor në shtimin e rasteve të diabetit është ushqyerja e keqe.
Sipas shoqatës Fëmijët dhe të Rinjtë me Diabet, të cilës i referohet AgroWeb.org, në vendin tonë është alarmant fakti se diabeti po prek edhe fëmijët e vegjël nën 7 vjeç.
Roli i Mëngjesit në Parandalimin e Diabetit
Po të marrësh në konsideratë lidhjen mes diabetit të tipit 2, sheqernave në gjak dhe insulinës, nuk është habi që ekspertët thonë se heqja dorë nga mëngjesi rrit rrezikun e sëmundjes.
Në fakt, besohet se heqja dorë nga mëngjesi nxit rezistencën ndaj insulinës.
Kur rezistenca ndaj insulinës bëhet kronike, kthehet në fakt rreziku për diabetin e tipit 2.
Nga ana tjetër heqja dorë nga mëngjesi rrit nivelin e sheqerit në gjak që vazhdon edhe në vaktet e mëtejshme.
Kësisoj, trupi është në kthetrat e stresit të vazhdueshëm që bëhet faktor në përzgjedhjen e ushqimeve të pashëndetshme.
Dy justifikimet më të përsëritura nga njerëzit që nuk hanë mëngjes janë: mungesa e urisë dhe e kohës.
Por pavarësisht tyre, askush nuk duhet t’i thojë ‘jo’ një mëngjesi që përmban vezë, kos dhe fruta.
Një mëngjes i tillë ofron proteinë, fibër e karbohidrate, të mjaftueshme për një ditë plot me energji./AgroWeb.org
