Pas paralajmërimeve të Ambasadës së SHBA-së për sulme të mundshme nga grupe të lidhura me Iranin, ka reaguar Qeveria shqiptare. Autoritetet e sigurisë në vend theksojnë se nuk kanë marrë informacione të tilla dhe e cilësuan njoftimin si hamendësim.
Ditën e sotme, ambasada amerikane në Tiranë publikoi një “alarm sigurie”, ku paralajmëroi se objektiva të mundshme të sulmeve nuk janë vetëm elementë të opozitës iraniane të strehuar në Shqipëri, por edhe hapësira publike si qendra tregtare, hotele, restorante dhe vende turistike. Në njoftim u bë thirrje për vigjilencë të shtuar nga qytetarët amerikanë që jetojnë në vend.
Të lidhura
Nga ana e saj, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme u shpreh se Shqipëria mbetet e sigurt dhe turistët amerikanë nuk duhet të humbasin mundësinë për të përjetuar mrekullitë e vendit. Qeveria nënvizoi se agjencitë e sigurisë monitorojnë situatën dhe nuk ka asnjë të dhënë konkrete për kërcënime të tilla.
“Ambasada e SHBA jep rregullisht alarme të tilla, madje edhe kur dalin në protestë grupe opozitare që djegin kazanët e mbeturinave apo gjuajnë me molotov për të dalë në fotografi në gazetat e huaja, por agjencitë ligjzbatuese të Republikës së Shqipërisë nuk kanë asnjë informacion shqetësues lidhur me këtë hamendësim të ambasadës amerikane. Kështu që ne i ftojmë qytetarët amerikanë të mos humbasin asnjë nga mundësitë e mrekullueshme që ofron Shqipëria, me vendet e saj të panumërta turistike, mikpritjen e saj të pakonkurueshme dhe ushqimin e saj të paqortueshëm”, thuhet në reagimin e Agjencisë për Media dhe Informim pӕr Report TV.

