Papa Leo zbulon katër filmat e tij të preferuar

Papa Leo XIV ka ndarë me publikun një listë të veçantë filmash që e kanë shoqëruar ndër vite, një përzgjedhje që përfshin dekada të tëra të historisë së kinemasë botërore dhe pasqyron ndjeshmërinë e Atit të Shenjtë ndaj historive që prekin zemrën, frymëzojnë shpirtin dhe përcjellin mesazhe të forta për besimin, dashurinë dhe dhembshurinë.

Në mesin e titujve të përmendur ndodhet edhe një klasik italian, një zgjedhje që nuk mund të mungonte në listën e një pape me rrënjë kulturore të thella evropiane. Bëhet fjalë për filmin e paharrueshëm “La Vita è Bella” (Jeta është e bukur) të Roberto Benigni-t (1997), që ndërthur me mjeshtëri humorin dhe tragjedinë në rrëfimin prekës të një babai që përpiqet të mbrojë djalin e tij nga tmerret e luftës.

Përveç kesaj perle të kinemasë italiane, Papa ka përmendur edhe tre filma që kanë lënë gjurmë të thella në historinë e Hollivudit:

“It’s a Wonderful Life” (1946) me James Stewart, një himn për vlerën e jetës, mirënjohjen dhe shpresën;

“The Sound of Music” (1965) me Julie Andrews, që sjell një histori dashurie, guximi dhe lirie në sfondin e Luftës së Dytë Botërore;

“Ordinary People” (1980), debutimi regjisorial i të ndjerit Robert Redford, që trajton me ndjeshmëri temën e pikëllimit dhe pajtimit familjar.

Kjo përzgjedhje e vogël por kuptimplotë do të jetë edhe pjesë e një aktiviteti të veçantë që do të mbahet të shtunën, më 15 nëntor, në orën 11:00 të paradites, në Pallatin Apostolik të Vatikanit, ku Papa Leo XIV do të mirëpresë përfaqësues të botës së kinemasë ndërkombëtare.

Ky takim pritet të jetë një moment reflektimi mbi fuqinë e filmit për të ndikuar shpirtin njerëzor dhe për të përcjellë mesazhe të universalitetit, dashurisë dhe shpresës.


Shtuar 12.11.2025 19:29