Pamjet e efektivit të Rrugores që “grushtoi” pasagjerin u bënë virale: AMP nis hetimin

Ditën e djeshme një video qarkulloi me shpejtësi në rrjet, ku një efektiv i “Rrugores” në Pogradec qëlloi me grusht një person i cili rezultoi të ishte pasagjer në makinën që ata kishin ndaluar për të kontrolluar.

Nuk dihen shkaqet se pse situata agravoi deri në atë pikë, por sjellja e efektivit la për të dëshiruar dhe për këtë sot AMP njofton se ndaj këtij punonjësit policie ka nisur hetime.

Në pamje shihej se pasi e godet e shoqëron në komisariat duke i “rruhur shpatullat”.

Njoftimi i policisë:

Më datë 22.10.2022, Drejtoria Rajonale e AMP Korçë ka referuar në Prokurori materialet proceduriale për kryerjen e veprës penale “Kryerja e veprimeve arbitrare”, ndaj punonjësit të policisë të Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Policisë Pogradec, Inspektor A. S.

Veprimet hetimore ndaj këtij punonjësi policie u kryen pasi më datë 21.10.2022, në rrjete sociale është publikuar një material filmik ku ai shfaqet duke debatuar dhe goditur shtetasin A. T., i cili ishte pasagjer në një automjet që ishte ndaluar pasi drejtuesi i saj u konstatua duke përdorur telefonin dhe pa vendosur rrip sigurimi.

Në konsultim edhe me Prokurorin e gatshëm, nga ana e Drejtorisë Rajonale të AMP Korçë është administruar materiali filmik, është marrë kallëzimi i shtetasit A. T. dhe deklarimet e palëve, si edhe është bërë këqyrja e jashtme e këtij shtetasi në prani të mjekut ligjor.

Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90./albeu.com