“Paguaj dy dhe i treti shkon falas me gomone”, qeveria angleze e shqetësuar nga ofertat e trafikantëve shqiptarë

Më shumë se 5 mijë shqiptarë kanë kaluar me gomone për në Angli deri më tani që nga fillimi i këtij viti.

Sipas mediave angleze, baronët e drogës po dërgojnë për në Angli persona pa precedentë penalë për t’i përfshirë më pas në bandat e krimit të organizuar në Britani. Mediat angleze shkruajnë më tej se dyshohet që emigrantët pa precedentë kriminalë po përfshihen në bandat e trafikut të drogës në mënyrë që të shlyejnë borxhet e bosëve të drogës. Shifrat zyrtare tregojnë se shqiptarët përbëjnë grupin më të madh që shprehen se kanë rënë pre e trafikimit të qenieve njerëzore në kërkesat e tyre për azil. Kontrabandistët po trafikojnë emigrantët shqiptarë në Britaninë e Madhe me jahte luksoze.

Siç shkruhet në artikullin e DailyMail, janë trafikantët shqiptarë, ata që po kontrollojnë të gjitha lëvizjet. Madje gjithashtu, theksohet se ata kanë dalë në ofertë.

Me çmimin e dy personave, mund të ikin në Angli tre, pra njëri e përfiton ‘udhëtimin’ falas. Sipas autoriteteve britanike, kjo ofertë, deri diku joshëse do të bëjë që numri i emigrantëve të rritet ndjeshëm.