Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, e mbledhur më 10 shtator 2026 si pasojë e bllokimit të pagave për gjyqtarët dhe administratën gjyqësore, ka miratuar një deklaratë zyrtare. Në të kërkohet që listëpagesat të ekzekutohen menjëherë dhe të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
Sipas deklaratës së miratuar, Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve nënvizon se kjo situatë cenon autoritetin e Kushtetutës, detyrueshmërinë e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor.
Të lidhura
None found
Deklarata sqaron se bllokimi i pagave ka prekur njëkohësisht sekretarët gjyqësorë, kancelarët dhe nëpunësit e tjerë të gjykatave. Për sa i përket buxhetit të shtetit, gjyqtarët theksojnë se një detyrim kushtetues nuk mund të bëhet fakultativ për shkak të mungesës së planifikimit apo nevojës për rishpërndarje fondesh, sepse buxheti duhet të sigurojë zbatimin e Kushtetutës.
Deklarata përfshin këto kërkesa: zhbllokimin dhe pagesën e menjëhershme të pagave për gjyqtarët dhe administratën gjyqësore; zbatimin e plotë të vendimit nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese, vendimit nr. 435 të KLGJ-së dhe urdhrave të nëpunësve autorizues të gjykatave; fillimin e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura sipas paragrafit 110 të vendimit kushtetues; miratimin e kuadrit të ri ligjor në përputhje me Kushtetutën, pas konsultimit me organet drejtuese të sistemit të drejtësisë; ndalimin e praktikave administrative që pengojnë funksionimin financiar të gjykatave; ndërmarrjen e mjeteve ligjore, përfshirë ato administrative, civile dhe kushtetuese, për ekzekutimin e listëpagesave; adresimin e situatës pranë organizatave ndërkombëtare, veçanërisht Komisionit Evropian dhe përfaqësive diplomatike të huaja; si dhe kërkesën drejtuar Presidentit të Republikës për t’u angazhuar në mbrojtje të pavarësisë së gjyqësorit dhe për të monitoruar projektligjin e propozuar për ndryshimet në ligjin nr. 96/2016.
Në përfundim të deklaratës paralajmërohet se, nëse institucionet përgjegjëse nuk veprojnë menjëherë për ekzekutimin e pagave, masat e ndërmarra nga pushteti gjyqësor do të përshkallëzohen deri në reduktimin dhe kufizimin e përkohshëm të veprimtarisë gjyqësore, duke u kufizuar vetëm në shqyrtimin e çështjeve me natyrë urgjente.
