Më një kohë kur kreu i SPAK është ankuar se gjithnjë e më pak kallëzime vijnë nga institucionet publike në drejtim të Prokurorisë së Posaçme, ka qenë zv. kryeministrja e cila sot ka paralajmëruar se ka gati dosjen për një grup të strukturuar kriminal në Ujësjellës kanalizime Vlorë
“Dosjen do ta çoj në SPAK”, u tha ajo.
Me një ton të ashpër, që më shumë tingëllonte si i një prokuroreje në hetuese, Balluku iu drejtua vartësve të saj me akuzë të rënda, referuar një situate kur një numër shumë i madh i punonjësve të Ujësjellësit në Vlorë kanë fituar në gjykatë shifra shumë të mëdha pasi kanë pretenduar se nuk u janë paguar 2% në vit për vjetërsinë në punë, kompensimin ushqimor apo edhe përqindje për grupin e diplomës.
“Të gjitha dosjet janë gati. Përdorini tani ata avokatë për t’u mbrojtur, edhe ata avokatë duhet të mbrojnë veten”, tha ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Deri më tani janë 30 paditë, ndërsa po përgatiten edhe dhjetëra të tjera, teksa për të gjithë ata që kanë fituar bëhet fjalë për shifra që janë rreth 100 mln lekë të vjetra secili dhjetë herë më shumë nga shifra që i takon sipas Ballukut.
“Pretendoni që nuk të është paguar vjetërsia në punë, por nuk të mjafton kjo. Në të gjitha rastet të llogaritura nga ne shkon në 1 mln deri në 2 mln të vjetra, me shtesat që i kanë bërë paditësit ka arritur në 100 mln të vjetra, është marrë në gjykatë për një punonjës. Nga gjykata kanë marrë edhe 14 mijë lek në muaj për diplomën e nivelit të lartë, që në fakt VKM parashikon vetëm për ata me DAP. Këtë e dinë shumë mirë ata që kanë bërë skemën, deri te gjyqtari. Me kod pune shumica e atyre që kanë paditur e kanë çështjen të parashkruar se kanë dalë në pension prej vitesh”, vijoi ai.
Vartësve i tha se është vërtetuar se bëhet fjalë për një skemë të mirëfilltë, e ngjizur nga disa duar, e mbrojtur nga disa duart, me shkelje ligjore, duke përmendur edhe ekzekutimin e vendimeve gjyqësore që në shkallë të parë. Duke përmendur edhe juristët e institucionit të cilët sipas saj paralelisht me gjoja mbrojtjen e UKV ishin pjesë e skemës, kërcënimin e kishte të drejtëpërdrejtë.
“Secili prej jush që i ka hyrë kësaj skemë, i keni hyrë detit në këmbë. Do përgjigjeni të gjithë, do të ktheheni në shembull se çfarë ndodh kur ka grup të strukturuar. Ky është grup i strukturuar, i cili ka vepruar në bashkërendim të plotë në kurriz shqiptar dhe në kurriz të popullit të Vlorës…. S’ka ardhur njeri t’ju thotë të rrini apo të ikni nga puna, atë e dini vetë. E dini mirë kush ka shkelur ligjin”, kërcënoi ministrja.