Pacienti u vdes në rrugë, merren të pandehur 5 mjekë në Fier, neglizhuan në mjekim

Pesë mjekë të Spitalit Rajonal të Fierit, janë marë të pandehur për akuzën e “Neglizhencës në trajtimin mjekësor”, duke sjellë vdekjen e pacientit të tyre, Bledar Sherifaj.

Rasti është hetuar nga prokuroria e Fierit,e cila pas hetimeve të kryera ka konstatuar një seri shkeljesh dhe neglizhencë totale nga ana e stafit mjekësor, për rastin e pacientit Bledar Sherifaj.

I ndjeri nuk është hospitalizuar dhe ska marë tajtimin e duhur mjekësor, duke e transportuar nga Vlora në Fier dhe nga Fieri në Vlorë.

Kjo kohë dhe moskujdesi mjekësor, solli vdekjen e pacientit në ambjentet e ambulancës, teksa udhëtonte nga Fieri për të shkuar në spitalin e Vlorës me qëllim marjen e mjekimit.

“…nga dokumentacioni i administruar në kartelën mjekësore pranë spitalit Rajonal të Vlorës, rezulton se shtetasi Bledar Sherifaj ka shkuar i vdekur në ambjentet e këtij spitali…”-thuhet në dosjen hetimore.

Çështja në fjalë është hetuar nga prokurori i Fierit, Petrit Vukaj, ku pas provave të mbledhura dhe aktitet të ekspertimit mjekësor, është arritur në përfundimin se mjekja e Përgjithshme Ledjusa Muhametaj, mjeku Enton Dore, mjeku psikiatër Agim Sulaj, mjeku gastro-hepatolog Aleks Sulejmani dhe mjeku infeksionist Ndriçim Bala, kanë kryer veprën penale të “Neglizhencës në trajtimin mjekësor”.

Ndërkohë pak ditë më parë një tjetër mjek i spitalit të Fierit, Sokol Bregaj, u mor i pandehur për të njëjtën akuzë, pasi pacientja Areti Nako, i vdiq në rrugë.

Sipas dosjes hetimore ndaj 5 mjekëve të pandehur rezulton se në datën 26 prill 2020 është marrë njoftim në sallën e informacionit të komisariatit të policisë Vlorë se në Spitalin “Ali Mihali” Vlorë, ka pasur një person me problem shëndetsor.
Menjëherë është shkuar në Spitalin “Ali Mihali” Vlorë, duke iu marrë deklarim mjekes Nexhmije Veizaj.

Veizaj ka deklaruar se, Bledar Sherifaj ështe shtruar tek ky spital në datën 23 prill 2020 rreth orës 01:00 dhe ka qënë i shoqëruar nga familjarët e tij.

Ky pacient ka qënë shoqëruar në këtë spital edhe në datat 21 prill 2020 dhe 22 Prill 2020, por nuk është pranuar nga personeli mjekësor për shkak se, ka qënë me temperaturë, kjo si procedurë nga situatë “COVID-19”.

Në 23 prill 2020, Bledar Sherifaj është shtruar pasi ka qënë i pasjisur edhe me tampon negative për “COVID -19”. Në 26 prill 2020 pacientit i kanë ardhur familjarët dhe ai ka dalë në oborr me ta.

Gjatë kohës që kanë qënë bashkë, pacientit, i ka rënë të fikët dhe e kanë dërguar në spitalin rajonal Vlorë.
Ndërsa Gjergj Sherifaj, vëllai i viktimës, ka deklaruar se vëllai i tij, Bledar Sherifaj, vuante vetëm nga ana shëndetësore mendore dhe për këtë ka marrë mjekimet përkatëse.

Ai ka ngritur pretendime ndaj mjekëve në Fier dhe Vlorë për mjekimin e pacientit, pasi në Fier, janë kryer analiza nga ku ka dalë problematika e pasur, por nuk janë marrë masat e duhura për gjëndjen e vëllait të tij.

Si rrjedhojë gjëndja shëndetsore e vëllait të tij është rënduar duke sjellë edhe vdekjen e parakohshme.

Në lidhje me këtë ngjarje janë administruar kartelat klinike të shtrimit të pacientit në Spitalin e Fierit dhe të Vlorës.
Sipas të dhënave të administruara nga spitali rajonal Vlorë pacienti Bledar Sherifaj, ka mbërritur në spital pa puls,… morto., pra ky shtetas rezulton të ketë mberritur në spital i vdekur.

Referuar aktit të ekspertimit mjekoligjor, rezulton se vdekja e Bledar Sherifaj, ka ardhur si pasojë e pamjaftueshmërisë së punës së zemrës dhe mushkërive në terren të pankreasit të patrajtuar, si rezultat i bllokimit të rrugëve të kalimit të lëngur të tëmthit (infesksion i gjëndrës së pankreasit). / Ora News


Shtuar 26.11.2023 13:58