Gjatë ditëve të fundit, siç kemi raportuar edhe te AlbEu.com ka patur luftime intensive mes ushtrisë së Izraelit dhe militantëve të Hamas në zona të ndryshme të Gazës si edhe përreth spitaleve duke shkaktuar edhe vdekjen e shumë pacientëve për shkak të mungesës së energjisë elektrike.
Por, si është gjendja e deritanishme në këto spitale deri më tani? Informacioni i plotë mungon për shkak të problemeve të theksuara të informacionit si edhe të burimeve të verifikuara, por gjendja paraqitet si më poshtë sipas deklaratave të institucioneve të mirënjohura si OBSH:
Spitali Al-Shifa
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se spitali Al-Shifa – më i madhi në Rripin e Gazës – “nuk po funksionon më si spital”. OBSH thotë se ka “të shtëna me armë zjarri dhe bombardime të vazhdueshme në zonën” rreth tij në qytetin e Gazës.
Sipas stafit të spitalit, tre foshnja raportohet të kenë vdekur, nga 39 që nuk mund të trajtoheshin më në terapi intensive për shkak të mungesës së karburantit për të mbajtur ndezur gjeneratorët.
Izraeli ka mohuar vazhdimisht akuzat që forcat e tij kanë sulmuar spitalin, por ka pranuar përleshjet me luftëtarët e Hamasit në zonë. IDF thotë se Hamasi ka një qendër komanduese nën spital – gjë që spitali dhe Hamasi e mohojnë.
Spitali El-Kuds
Të dielën, Shoqata Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe (PRCS) tha se spitali Al-Quds kishte mbetur pa karburant dhe nuk ishte më funksional.
Të hënën, PCRS tha se kishte “të shtëna me armë” dhe “bombardime” në zonë dhe tanket e ushtria izraelite ishin vendosur pranë spitalit “nga të gjitha drejtimet”. Ai tha se stafi mjekësor dhe pacientët ishin të bllokuar pa ushqim, ujë ose energji elektrike dhe një autokolonë e shoqëruar nga Kryqi i Kuq për t’i evakuuar ata u ndal për shkak të kushteve të rrezikshme gjatë rrugës.
Spitalet Rantisi dhe Al-Nasr
Spitali i Specializuar për Fëmijë Rantisi dhe objekti ngjitur Al-Nasr në veri të qytetit të Gazës u evakuuan të premten, me përjashtim të disa pacientëve dhe stafit. Rantisi kishte të vetmin repart të kancerit pediatrik të Gazës.
Një tank izraelit është filmuar duke vepruar jashtë spitalit Rantisi.
Mohammed Zaqout, drejtori i spitaleve në Gaza, tha dje se evakuimet “lënë dhjetëra fëmijë të sëmurë në rrugë pa asnjë kujdes mjekësor” dhe fati i pesë fëmijëve të mbetur në kujdesin intensiv nuk dihet. Të shtunën, Izraeli akuzoi një komandant të Hamasit se kishte penguar rreth 1000 njerëz të largoheshin nga spitali përpara se të evakuohej.
Të premten, një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) tha se Izraeli nuk qëlloi në spitale – por do të “bënte atë që duhet” nëse Hamasi qëllonte nga bazat brenda dhe pranë spitaleve. /albeu.com