Osmani uron Ditën e Pavarësisë, citon një thënie të ish-Presidentit Rugova

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur para mediave me rastin e 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Ajo ka thënë se në këtë ditë duhet të falënderohen të gjithë ata që sakrifikuan për Pavarësinë e vendit.

“Uroj qytetarët për 14 vjetorit të shtetit tonë. Edhe në këtë ditë, dua të shfrytëzoj për t’i falënderuar dhe nderuar ata që kanë dhënë gjithçka që ne ta gëzojmë shtetit tonë, duke filluar nga vizionari dhe arkitekti i Pavarësisë së Kosovës, Presidenti Ibrahim Rugova, i cili diti ta qartësojë vullnetin e qytetarëve të Kosovës para botës dhe të krijojë miqësi të cilat edhe sot i gëzojmë. Dhe duke vazhduar me mbi 3 mijë dëshmorë që flijuan jetën që ne të jetojmë të lirë, të udhëhequr nga komandanti Adem Jashari dhe familja Jashari. Shteti ynë është punë e përfunduar. Sfidat vazhdojnë, në këto sfida duhet të qëndrojmë të bashkuar. Vetëm atëherë kur jemi të bashkuar, mund të kemi sukses.”, tha Osmani.

Derisa ka falënderuar miqtë ndërkombëtarë, Osmani ka cituar një thënie nga ish-Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova.

“Unë jam e bindur që deri tani i kemi bërë krenarë edhe miqtë tanë të cilët na kanë ndihmuar gjatë periudhës së lirisë, pavarësisë por edhe në procesin e shtetndërtimit e janë të pranishëm edhe sot. Prandaj dua t’i falënderoj që kurrë nuk na lanë vetëm. Sepse siç e ka thënë Presidenti ynë historik, ‘shtëpia nuk mbahet pa miq dhe Kosova është dëshmia më e madhe e kësaj’”, ka deklaruar Osmani./express