Osmani konfirmon deklaratat e Petkovit për spiunët rusë: Puna e tyre mund të lidhet me diplomatët “non grata” në Maqedoni

“Nga këtu them se ky konstatim është i saktë. Se ka pasur vazhdimisht tentime që Ballkani Perëndimor të mos lëvizë me dinamikën adekuate drejt BE-së”, tha Osmani.

Kështu ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani konfirmoi sot deklaratat e kryeministrit bullgar Kiril Petkov, i cili së fundmi deklaroi se shërbime pro-ruse kanë punuar për prishjen e marrëdhënieve Shkup-Sofje.

“Unë jam i kënaqur që po dëshmohet edhe me fakte dhe këtë posaçërisht e thonë miqtë tanë bullgarë që interes në bllokimin e perspektivës evropiane nuk ka asnjë anëtare e BE-së, por vetëm palët e treta që dëshirojnë që BE të dobësohet, për shkak se ka një rajon me çështje të hapura pa perspektiva të qarta. Ne gjatë gjithë kohës e thamë këtë, që në interes strategjik i Bullgarisë është të jetë lider i perspektivës evropiane në rajon dhe rajoni të konsolidohet në drejtim të anëtarësimit në BE. Për shkak se zgjerimi mbi gjitha është çështje sigurie. Bullgaria gjendet në këtë rajon tonin, siguria nuk mbaron në kufijtë e një shteti”, deklaroi Osmani.

Osmani tha se dyshon se aktiviteti i personave në Bullgari mund të jetë i ndërlidhur me aktivitetin e diplomatëve rusë që janë shpallur persona të padëshiruar në Maqedoninë e Veriut.

“Unë nuk mund të hyj drejtpërdrejt në publikimin e aktiviteteve të cilët kanë qenë në kundërshtim me Konventën e Vjenës si arsye për shpalljen e tyre persona non grata, por konteksti është ai. Aktivitete që kanë ndërmarrë diplomatët rusë në drejtim të nxitjes edhe të faktorëve politikë dhe jopolitik brenda, mund edhe të interpretohen ashtu për shkak se kanë qenë në drejtim të krijimit të një atmosfere të pakënaqësisë në vend që unë kujtoj se mund të ndërlidhet me aktivitete e ngjashme që janë ndërmarrë në Republikën e Bullgarisë”, deklaroi Osmani.

Ndryshe, kryeministri Petkov tha se dy të punësuar në Agjencinë Shtetërore për Siguri Kombëtare të Bullgarisë kanë punuar që Maqedonia të mos ketë ardhmëri evropiane duke u shprehur i kënaqur që agjencia është marrë me këtë problem dhe që këta persona nuk do të punojnë më mbi këtë çështje./TV 21/


Shtuar 3.04.2022 13:17