Ose je anëtar me të drejta të plota, ose nuk je/ Marta Kos kundër iniciativës Rama-Vuçiç: Rregulli është i thjeshtë, nëse përmbush reformat duhet të jesh pjesë e BE

Në një intervistë për Atlantic Council, Komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, është shprehur kundër iniciativës së përbashkët mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç , për anëtarësim në BE pa të drejtë vetoje.

Ajo theksoi se nuk e mbështet këtë nismë, duke shtuar se vendet duhet të jenë anëtare të plota të BE-së. Sipas saj, ose je anëtar i Unionit me të drejta të plota, ose nuk je.

Të lidhura

None found

“Nuk ka anëtarësim “light”. Ose je anëtar dhe atëherë i merr të gjitha të drejtat. Ose nuk je anëtar dhe nuk i merr të drejtat.

Por sigurisht, e kuptoj këtë letër nga zoti Vuçiç dhe Rama, në kuptimin që nëse BE-ja do të ketë probleme, e dini, për të vazhduar me procesin e zgjerimit, ata do të ishin të kënaqur me diçka më pak.

Kjo është zgjedhja e tyre. Unë nuk e mbështes këtë, sepse roli im është t’i ndihmoj ato vende të bëhen anëtare të plota të BE-së. Rregulli i thjeshtë është ky: nëse një vend përmbush të gjitha reformat dhe kriteret, duhet të bëhet anëtar i plotë i Bashkimit Evropian. Kështu është ndërtuar edhe Traktati ynë Evropian”, tha ajo.

Ajo foli gjithashtu edhe për ambicien e Malit të Zi për t’u bërë pjesë e Unionit deri në vitin 2028.

“E dini, zakonisht ne nuk vendosim data në procesin e anëtarësimit, sepse kjo varet vërtet nga meritat. Pra, varet nga mënyra se si vendet po japin rezultate. Por sigurisht, ne mbështesim objektiva ambicioze. Së pari për Malin e Zi, është e mundur që ne t’i mbyllim.

Pra, është e mundur që Mali i Zi me 650,000 banorë të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian. Është gjithashtu e mundur që Shqipëria të bëhet anëtare deri në vitin 2030 ose edhe më herët. Dhe pastaj sigurisht, tani ndoshta do të kemi një vend të ri kandidat. Unë po e pres me shumë padurim”, shtoi ajo.


Shtuar 19.04.2026 10:37