Ori tregon si e propozoi Basha për ta futur në lista: Babi i doli mamit në ëndërr

Moderatorja Oriela Nebijaj e cila tashmë është kandidate për deputete dhe e 18-në listën e Tiranës, ka treguar se si e ka marrë propozimin nga kryedemokrati Lulzim Basha.

E ftuar në emisionin “Rudina”, Nebijaj tha se gjithçka ishte një surprizë dhe se nuk ia kishte marrë mendja që do ta merrte këtë propozim. Ajo tha se Basha, përmes një telefonate e kërkoi në takim dhe i propozoi vendimin.

“Më mori në telefon dhe më tha që dua të të takoj. Nuk më shkoi mendja fare edhe pse ishin ditët finale që do më kërkonte këtë bashkëpunim dhe këtë impenjim. Isha e sigurt që do më jepte detyrat e tij në vijim për fushatën edhe ishte surprizues. Shkova e takova, kishte një buzëqeshje që ia lexova edhe në një takim që kishim organizuar për 8 Mars, por thashë edhe fakti që kishim pak pa u parë, është edhe kënaqësia që rishihesh pas një kohe, nuk i lexova sinjalet por më pas thashë ok. Unë kam pasur një eksperiencë shumë të mirë pune, ai është një njeri i qytetëruar dhe një model shumë i mirë për t’u ndjekur.

Ka qenë shumë i komunikueshëm, gjithmonë suportues dhe mbështetës edhe ndonjëherë kur të linte të kuptoje që ai nuk ishte dakort me mendimin tënd, por të jepte mundësinë që ti të guxoje dhe ndoshta të vuaje më pas edhe ndonjë dështim të vogël por që nuk sillte dëme të mëdha, nga ato që të bëjnë të rritesh,”- tha Nebijaj.

Moderatorja tregoi më tej se pasi e kishte diskutuar këtë gjë me familjen e saj, i ati i ka dalë në ëndërr të ëmës dhe i ka thënë: Thuaj Orit që do marrim te gjithë një vals.

“Këtë moment e kisha edhe më të vështirë, pasi e diskutova me zotin Basha, teksa ika nga ai i vetmi person që doja të shkoja ishte im at. Edhe mamaja ime e di këtë gjë edhe nëse herën e parë kur u bëra zëdhënëse i doli motrës në ëndërr edhe i tha “bab thuaji Orit që jam me të”, kësaj here ishte mamaja që e pa në ëndërr natën që u mor vendimi dhe i tha “thuaji Orit që do hedhim të gjithë një vals” dhe unë besoj se ky është mesazhi më i bukur edhe besoj që ky është bekimi i madh në një rrugë që sot nis, por që do të jetë një maratonë e gjatë,”- tha Nebijaj.

 


Shtuar 26.03.2021 20:25