Dhjetëra mijëra persona u mblodhën të shtunën në periferi të Tiranës për të ndjekur koncertin e shumëdebatuar të reperit amerikan Kanye West, i njohur si Ye. Ndonëse fansat duket se mbetën të kënaqur nga performanca, shumë prej tyre shprehën pakënaqësi për organizimin dhe kushtet infrastrukturore të ofruara nga kryeqyteti shqiptar.
Ngjarja u zhvillua në “Eagle Stadium”, një arenë e ndërtuar posaçërisht për këtë aktivitet, të cilën qeveria e promovoi si vendin ku do të mbahej një prej spektakleve muzikore më të mëdha të organizuara ndonjëherë në Shqipëri.
Të lidhura
None found
Një ditë pas koncertit, kryeministri Edi Rama dhe përfaqësues të mazhorancës e paraqitën aktivitetin si një sukses me përmasa ndërkombëtare dhe si një arritje të rëndësishme për imazhin e Shqipërisë.
“Mbrëmë Shqipëria nuk organizoi thjesht një koncert,” deklaroi Rama përmes një videoje në Facebook. “Shqipëria organizoi një ngjarje që, falë kanaleve sociale dhe famës së protagonistit, u bë në çdo cep të botës lajm,” shtoi ai.
Entuziazëm të ngjashëm shprehu edhe kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla. “Tirana mbrëmë ishte kryeqyteti botëror i muzikës, duke mirëpritur miq nga 80 kombe të ndryshme të botës,” shkroi ai në rrjetet sociale.
Megjithatë, dëshmitë dhe vlerësimet e publikuara në platformat sociale nga disa prej fansave që udhëtuan drejt Tiranës paraqesin një realitet të ndryshëm nga versioni i promovuar prej qeverisë.
Në forumin Reddit, admirues të artistit amerikan nga vende të ndryshme vlerësuan pozitivisht performancën e Ye-së, por ngritën kritika të forta për menaxhimin e aktivitetit dhe gjendjen e infrastrukturës pranë stadiumit.
Përdoruesit raportuan radhë dhe pritje të gjata në hyrje, paqartësi gjatë verifikimit të biletave, mungesë udhëzimesh, mungesë uji në temperatura të larta, si dhe vështirësi të tjera logjistike. Sipas tyre, standardi i organizimit ishte larg ambicies për të realizuar një prej koncerteve më të mëdha të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri. Kontrasti u përmblodh në një nga komentet më të shpërndara në forum: “Koncerti ishte fantastik. Organizimi ishte katastrofë.”
Kritikat e fansave nuk u kufizuan vetëm te mbarëvajtja e ngjarjes. Ata kundërshtuan edhe mënyrën e financimit, duke vënë në shënjestër vendimin e qeverisë për t’i dhënë projektit 4 milionë euro nga fondi i emergjencave. Ky financim u miratua në një periudhë kur vendi është përfshirë nga protesta anti-qeveritare, të nxitura nga projekti për ndërtimin e një resorti në një zonë mjedisore të mbrojtur, i lidhur me dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump.
“Askush nuk është i zemëruar me YE, ne jemi të zemëruar me qeverinë tonë që përdori fondin e emergjencave”, shkroi një përdorues shqiptar.
Një komentues tjetër e konsideroi këtë si “koha e gabuar”, duke iu referuar faktit se financimi u vendos ndërsa po zhvilloheshin protesta kundër korrupsionit të përhapur në institucionet publike.
Pakënaqësitë u shfaqën gjithashtu në platformat publike ku vlerësohen bizneset. Në Google, ‘Eagle Stadium’ mori një numër të madh komentesh kritike dhe vlerësimesh me 1 yll.
Sipas komentuesve, projekti përfaqëson një përdorim të papërshtatshëm të taksave të qytetarëve. “Paratë e stadiumit u morën nga shëndetësia, arsimi dhe njerëzit”, shkroi një përdorues, ndërsa një tjetër e përkufizoi koncertin si një aktivitet privat që “nuk duhet të financohej nga shteti”.
Shumë prej reagimeve ngritën edhe pikëpyetje mbi sigurinë e stadiumit dhe shpejtësinë me të cilën u realizua ndërtimi. Disa përdorues e përshkruan objektin si “shumë të rrezikshëm”, pohuan se “asgjë nuk është gati ende” ose pretenduan se ishte ndërtuar “shpejt për përfitim dhe jo për njerëzit”.
Në fokus të kritikave ishte edhe gjendja e rrugëve që mundësojnë mbërritjen në stadium. Sipas përdoruesve, infrastruktura rrethuese nuk përmbush kërkesat e një aktiviteti të reklamuar si spektakli më i madh muzikor i organizuar ndonjëherë në Shqipëri.
Reagimet negative ndaj Eagle Stadium vijnë pas një vale të ngjashme vlerësimesh kritike për biznese të perceptuara si të afërta me qeverinë. Ky fenomen bëri që Policia e Shtetit të njoftonte nisjen e hetimeve për identifikimin e autorëve.
Për Eagle Stadium, ndërkohë, forcat e rendit nuk janë angazhuar në verifikime për të përcaktuar nëse ekziston ndonjë vepër penale.
“Në rast se do bëjë kallëzim patjetër që do kryejë veprimet Policia e Shtetit”, ishte përgjigjja që ky institucion i dha BIRN.
