Në çdo sistem demokratik, opozita është motori i ndryshimit. Ajo nuk matet vetëm me denoncimet që bën, por mbi të gjitha me besimin që arrin të ngjallë te qytetarët.
Tek ne, opozita dhe Berisha duket se po përballen pikërisht me këtë krizë, mungesën e besimit publik.
Të lidhura
None found
Retorika është e fortë, akuzat janë të përditshme, ndërsa denoncimet për korrupsion janë të shumta. Vetë opozita flet për një nivel alarmant korrupsioni në qeverinë e Edi Rama. Por pyetja që shtrohet natyrshëm është, nëse korrupsioni është kaq i madh dhe kaq i dukshëm, pse qytetarët nuk reagojnë masivisht?
Përgjigjja duket e thjeshtë dhe njëkohësisht e dhimbshme për opozitën, sepse nuk besojnë.
Opozita ka dështuar të prodhojë mobilizim real qytetar. Tubimet sporadike me disa qindra protestues nuk mjaftojnë për të krijuar presion politik. Historia ka treguar se ndryshimet e mëdha nuk vijnë nga “200 veta çdo të hënë”, por nga pjesëmarrje masive dhe e vazhdueshme.
Në vende të tjera, qytetarët kanë detyruar dorëheqje përmes presionit publik. Në Shqipëri, edhe kur ka pasur zhvillime të rëndësishme, roli vendimtar shpesh nuk ka qenë i opozitës, por i institucioneve si SPAK. Kjo e dobëson narrativën e opozitës si forcë ndryshimi.
Diskursi politik i opozitës ka mbetur i mbërthyer në një cikël të përsëritur: “Rama ik!”.
Ky mesazh, i konsumuar prej vitesh, nuk prodhon më efekt. Përkundrazi, ai është kthyer në një klishe që nuk mobilizon askënd.
Në të njëjtën kohë, daljet e shpeshta mediatike dhe “foltoret” nuk janë përkthyer në strategji konkrete. Ka një hendek të madh mes fjalëve dhe veprimit.
Qeveria nuk rrëzohet me deklarata televizive, por me alternativa të besueshme dhe organizim politik serioz.
Një nga problemet më të mëdha të opozitës është perceptimi publik se ajo përfaqëson të njëjtët individë, të njëjtin cikël politik dhe të njëjtën kulturë qeverisëse. Nuk ka hapësirë reale për gjeneratën e re, për ide të reja dhe për një model të ri drejtimi.
Kjo krijon një boshllëk: qytetarët e pakënaqur me qeverinë nuk e shohin opozitën si alternativë. Ata nuk dalin në protestë jo sepse janë të kënaqur, por sepse nuk shohin një “dritë jeshile” për ndryshim.
Një tjetër element që minon besimin është perceptimi se një pjesë e elitës politike, si në pushtet ashtu edhe në opozitë, ka interesa të ndërthurura ekonomike. Kur qytetarët besojnë se politika dhe biznesi janë të lidhura ngushtë, atëherë çdo thirrje për protestë humbet besueshmërinë.
Në këtë kontekst, akuzat për korrupsion ndaj figurave të ndryshme politike, qofshin në qeveri apo në opozitë, nuk prodhojnë më indinjatë të re, por një lloj apatie kolektive.
Vetë Sali Berisha, ka treguar në të kaluarën se di të ndërtojë aleanca dhe të krijojë frymë fituese. Fitorja e vitit 2005 erdhi edhe si rezultat i bashkimit të faktorëve të ndryshëm dhe përçarjes së kundërshtarit.
Sot, situata është e kundërt. Opozita është e fragmentuar, ndërsa përpjekjet për bashkim duken më shumë simbolike sesa reale. Thirrjet për bashkëpunim nuk janë shoqëruar me mekanizma konkretë dhe besueshmëri reciproke.
Problemi kryesor nuk është mungesa e skandaleve për të denoncuar, por mungesa e një alternative që bind. Qytetarët shqiptarë nuk janë më të gatshëm të zëvendësojnë një model që e konsiderojnë të korruptuar me një tjetër që perceptohet si i tillë.
Pa një reformim të thellë, pa hapje ndaj figurave të reja dhe pa një projekt të qartë politik, opozita rrezikon të mbetet në një rol periferik: zhurmë politike pa ndikim real.
Në fund, një pyetje mbetet thelbësore, a kërkon opozita vërtet pushtetin për të ndryshuar sistemin, apo thjesht për ta zëvendësuar atë? Derisa kjo dilemë të marrë përgjigje të qartë në sytë e qytetarëve, mosbesimi do të vazhdojë të jetë pengesa më e madhe për çdo rotacion politik në Shqipëri.
