Opozita në Mal të Zi tërhiqet nga mocioni i mos-besimit, çfarë kërkon

Opozita në Malin e Zi është tërhequr nga mocioni i mos-besimit kundrejt qeverisë atje.

Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit Milo Gjukanoviç, njoftoi sot se opozita po tërheq nismën për votëbesimin ndaj Qeverisë së Malit të Zi.

DPS tha se është e bindur se do të krijohet një shumicë e re parlamentare.

“Duke pasur parasysh njoftimin e Frontit Demokratik se do të paraqesë nismë për shkurtimin e mandatit të Kuvendit, të shpallur më 11 dhjetor dhe pasi opozita e bashkuar nisi procedurën e mosbesimit ndaj Qeverisë, besojmë se negociatat për formimin e një shumicë të re parlamentare duhet të fillojë pa vonesë”, tha DPS.

Partia e Gjukanoviç beson se do të formohet një shumicë e re parlamentare “dhe në këtë mënyrë do të krijohen parakushtet e nevojshme për rënien e qeverisë dhe shkarkimin e kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi”.

Nga ana tjetër, drejtuesit e Frontit Demokratik, që kanë qenë pjesë e koalicionit qeveritar, dhe pjesa më radikale e tij, iu drejtuan publikut në lidhje me platformën e tyre, të cilën ia kishin ofruar pjesës tjetër të mazhorancës parlamentare. Kryetari i Nova-s, Andrija Mandiç, ka bërë të ditur se organet partiake kanë konstatuar se gjendja është e paqëndrueshme dhe se shumica parlamentare nuk i ka përmbushur pritjet e qytetarëve që votuan për ndryshimet.

“Fronti Demokratik do t’u propozojë kolegëve tanë nga shumica parlamentare dhe përfaqësuesve autentikë të pakicave kombëtare që t’ua kthejmë mandatin qytetarëve të Malit të Zi, kjo është zgjidhja më e drejtë dhe më e pastër,” tha Mandiç.

Fronti Demokratik nuk e mbështet më qeverinë e Zdravko Krivokapiç. Ka kaos të përgjithshëm në vend, tha kreu i PzP Nebojsha Medojeviç, pjesë e Frontit Demokratik.

“Ne nuk do ta rrëzojmë këtë qeveri me DPS-në, do t’ua kthejmë mandatin qytetarëve”, tha Medojeviç.

“Pas kompromiseve tona, ne po dalim para qytetarëve dhe po ua kthejmë mandatin, Milo Gjukanoviçin nuk po e kthen Fronti Demokratik, por ata që po negociojnë fshehurazi me të këto ditë dhe ata që votojnë publikisht me të,” tha kryetari i DNP, Milan Knezeviç.

“Ne jemi gati të shkojmë në zgjedhje dhe t’i japim fund kësaj agonie. Ata që janë në kërkim të shumicës alternative parlamentare do të duhet t’u japin llogari qytetarëve ose tani ose në një periudhë të caktuar kohore”, tha Knezeviç./albeu.com/