Urgjenca e aktorit Genc Fuga dhe zgjidhja në spitale që do të na shpëtonte të gjithë

Nga Emirjon Senja

Urgjenca e aktorit Genc Fuga dhe gjetja e shpëtimit të Spitalit Amerikan dhe jo në QSUT për shembull, mund të vlejë si një ngjarje që të nxisë debatin për mënyrën se si menaxhohen taksat dhe kontributet tona!

Shteti ynë i dashur, për dekada të tera merr taksat dhe kontributet dhe nuk na i kthen në shërbime bazë, si shëndetësia apo arsimi.

Ti paguan taksa si qytetar i bindur, madje edhe tatim të dyfishtë, nëse ke oreks apo nevojë për më shumë se një pagë (sepse këta tatojnë më shumë punën se oligarkinë), pastaj për shkak se s’ka infrastrukturë në shkolla apo spitale publike detyrohesh që të kurohesh në spitale private dhe të shkosh fëmijët në shkolla jopublike.

Kjo nuk është zgjedhje, por detyrim për mijëra familje në Shqipëri, të cilët në fakt shembën në taksa gjatë gjithë vitit dhe rrjedhimisht duhet t’u jepet mundësia në shkolla dhe spitale publike cilësore.

Problemi nuk është pse një shkollë private ofron ambiente më të mira apo pse një spital privat ka një aparaturë që nuk e ka shteti. Problemi është pse shteti nuk respekton qytetarin e tij për të mos ta detyruar të shpëtojë kokën apo të ardhmen e fëmijës të privatit!

Zgjidhja?

Për çdo qytetar që zgjedh privatin, të subvencionohet kostoja e njëvlefshme e shërbimit që do të merrte në shtet. Diferencën le ta paguajë vetë. E njëjta gjë dhe për shkollat.

Ndryshe s’ka kuptim kjo punë: Paguan detyrime si legen për shtetin, pastaj kur të bie halli lutesh:”Do Zoti ka privat krevate apo banka të lira”!

Po na duket vetja si budallenjtë më të mëdhenj në botë se s’duan të japin zgjidhje lehtësisht të realizueshme.

Që djersën tonë të mos e hajë ujku!

/albeu.com