Emirjon Senja
Jamie anglezi dhe Xhoni shqiptari
Jamie, një 13 vjeçar britanik që vrau bashkëmoshataren e tij me thikë pas bullizimit që ajo i bëntë në rrjete sociale, u arrestua nga policia në orët e para të mëngjesit duke u çuar në rajonin e policisë.
Ndërkohë që ishte në makinë, ai u qetësua dhe këshillua nga një punonjës policie, ku ndër të tjera iu tha se nuk duhej të fliste pa takuar një avokat, ndërsa punonjësi tjetër i policisë në sportel u kujdes që ai të trajtohej me dinjitetin që një shoqëri e përparuar i qaset qytetarëve të saj, edhe pse në rastin konkret kishim të bënim me një vrasje.
Shumica e lexuesve të këtyre rreshtave e kanë parë seritë “Adolescence” ne Netlix që po bën bujë dhe s’po zgjatem më tej.
Tani le të vijmë të rasti ynë.
Xhoni*, 16 vjeç, u arrestua mbrëmë nga efektivët e komisariatit nr.6 në Tiranë pasi bashkë me një shokun e tij 17 vjeçar hodhën shishe me benzinë në oborrin e banesës së një personi që kishin konflikt.
Policia shpërndau një video ku dukeshin se adoleshentët ishin prangosur dhe po futeshin në komisariat me duar të lidhura mbrapa dhe dorën e efektivëve të Shqiponjave mbi kokë. Një përthyerje që zakonisht karakterizon ata që arrestohen për krime të rënda.
Jemi të gjithë dakord që ka një problem të madh me adoleshentët e sotëm,ku i gjen rëndom me thika apo hashash nëpër xhepa, për të mos folur për atë gjuhën vulgare ku në çdo tre fjalë, dy nisin me “o k…!” “o k…”. Mua me shqetëson shumë vulgariteti dhe mungesa e theksuar e përgjegjësisë që ka kjo moshë, por kjo nuk është forma që duhen trajtuar ata nëpër komisariate.
Kështu vetëm i bëjmë kriminelë potencialë kur të bëhen 20 apo 30 vjeç duke i frymëzuar me urrejtjen për forcat e rendit, ligjin dhe shoqërinë në përgjithësi.
Mendja rrebele e një adoleshenti që trajtohet ashtu, zakonisht nuk reflekton për krimin e kryer, por frymëzohet për veprime të tjera të dhunshme në vijim.
Jo, kjo nuk është forma e duhur e trajtimit të adoleshentëve, sado problematikë të jenë bërë ata…
*Emri nuk është i vërtetë