Policia e Fierit në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë goditur një grup kriminal në fushën e trafikut të armëve dhe drogës.
Në pranga janë vënë 4 persona, ndërsa ditën e djeshme janë zhvilluar edhe 13 kontrolle.
Policia vendore e Fierit dhe Prokuroria, në një konferencë për mediat, deklaruan se grupo vepronte në disa qytete të vendit, ndërsa grupi trafikonte armët edhe nga Kosova, përmes pikës kufitare të Morinës.
Në pranga kanë rënë 4 persona, që sipas prokurorit Elion Mustafaj, janë me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe rezultojnë me precedentë të mëparshëm penalë.
“Mbanin armë zjarri për qëllime kriminale. Ky aktivitet kryhej në disa qytete. Në disa raste armët siguroheshin edhe nga Kosova. Nga hetimet rezultojnë se ky grup merrej edhe me bimët narkotike dhe shitjen e kanabisit. U ushtruan 8 kontrolle biznesesh, dy kontrolle për magazinimin e armëve dhe vende të tjera.
U sekuestruan 4 mijë bimë narkotike, 2 mijë në parcelë dhe 2 mijë në kubikë. U sekuestruan 3 armë zjarri automatike, dy armë gjaku dhe mbi 600 fishekë. Sekuestruar 5 mijë fara kanabisi”, tha policia.
Në pranga janë vënë shtetasit B.B 48-vjeç, i dënuar në Itali me 30 vjet burg për prostitucion dhe armëmbajtje pa leje, N.O 53-vjeç, Q.SH 48-vjeç dhe B.B 33-vjeç. Po ashtu u hetua në gjendje të lirë edhe një person tjetër nga Fieri.
Grupi vepronte ne qytetet Fier, Lushnje, Durrës, Shkodër e Kukës.
“Ky grup vepronte i mirë organizuar me qëllim trafikimin e armëve nga Kosova në Shqipëri për ti shitur më pas në individë të përfshirë në aktivitete kriminale”, tha drejtori i policisë Fier.