Olaf Scholz, Macron dhe Tusk takohen sot për të biseduar për Ukrainën

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, do të takohet sot në Berlin me presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe me kryeministrin polak, Donald Tusk.

Takimi i tyre vjen në një kohë kur janë duke u rritur dallimet mes Gjermanisë dhe Francës, në politikën e tyre për Ukrainën.

Scholz pritet të takohet me Macronin të premten në mesditë. Dy liderët do ta takojnë pastaj së bashku kryeministrin polak Tusk.

Ky do të jetë takimi i parë i Trekëndëshit të Vajmarit, në nivel të lartë prej qershorit të vitit të kaluar.

Bisedimet mes tyre do të mbahen gati tri javë pas takimit të rreth 20 liderëve qeveritarë në Paris, ku u diskutua lufta në Ukrainë.

Konferenca e tyre mbaroi me qëndrime të ndara, për mundësinë e dërgimit të trupave në zonën e luftës.

Trekëndëshi i Vajmarit, u themelua në gusht 1991 nga ministrat e atëhershëm të jashtëm Hans-Dietrich Genscher, Roland Dumas dhe Krzysztof Skubiszewski, në Vajmarit, në Gjermani.

Ky grup ka filluar të takohet më shpesh prej se Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës, para pak më shumë se dy vjetëve.

Të enjten, Macroni përsëri u bëri thirrje fuqive perëndimore të mos tregojnë shenja dobësie kundër Rusisë, si dhe e përsëriti qëndrimin e tij se dërgimi i trupave perëndimore brenda Ukrainës nuk duhet të hidhet poshtë.

“Sot nuk jemi në gjendje, por të gjitha këto opsione janë të mundura”, tha Macron.

Scholz e kishte kundërshtuar qëndrimin e Macronit, pas takimit të liderëve në Paris për dërgimin e trupave në Ukrainë.

Ai kishte thënë se pjesëmarrësit ishin pajtuar që vendet evropiane të mos dërgojnë “trupa tokësore” në tokën ukrainase.


Shtuar 15.03.2024 09:59