OKB miraton me 141 vota Rezolutën që kërkon tërheqjen e trupave ruse nga Ukraina, Kina abstenoi

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar këtë të enjte rezolutën jodetyruese që i bën thirrje Rusisë t’i japë fund armiqësive në Ukrainë dhe të tërheqë forcat e saj, duke dërguar një mesazh të fortë në prag të përvjetorit të parë të pushtimit , duke theksuar se agresioni i Moskës duhet të përfundojë.

Rezoluta, e hartuar nga Ukraina në konsultim me aleatët e saj, kaloi 141vota pro, 7 kundë dhe 32 abstenime, përfshirë Kinën. Rezoluta nuk është ligjërisht e detyrueshme, por demonstron mbështetjen për Ukrainën. Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba tha se ishte më shumë dëshmi se nuk është vetëm Perëndimi që e mbështet vendin e tij.

“Mbështetja është shumë më e gjerë dhe ajo do të vazhdojë të konsolidohet dhe të forcohet,” tha Kuleba pas votimit. “Ky votim kundërshton argumentin se jugu global nuk qëndron në anën e Ukrainës, sepse shumë vende që përfaqësojnë Amerikën Latine, Afrikën dhe Azinë votuan sot në favor.”

Asambleja e Përgjithshme është bërë organi më i rëndësishëm i OKB-së që merret me Ukrainën, sepse Këshilli i Sigurimit, i cili është i ngarkuar me ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, është i paralizuar nga fuqia e vetos së Rusisë.


Shtuar 23.02.2023 23:33