OBSH jep alarmin: Omicron mund të infektojë gjysmën e popullsisë europiane brenda dy muajve

Më shumë se gjysma e popullsisë në rajonin europian do të preket nga Omicron brenda dy muajve të ardhshëm, paralajmëron Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Dr. Hans Kluge tha gjatë një konference për shtyp se Omicron “përfaqëson një valë të re nga perëndimi në lindje” që përfshin 53 vendet që monitoron OBSH për Europën.

Më shumë se shtatë milionë infeksione u konfirmuan në të gjithë rajonin në javën e parë të vitit 2022, më shumë se dyfish gjatë një periudhe dyjavore.

“Që nga 10 janari, 26 vende raportojnë se mbi një për qind e popullsisë së tyre po infektohet me COVID-19 çdo javë,” tha Kluge.

Pesëdhjetë vende kanë raportuar tashme raste me variantin Omicron “duke u bërë shpejt virusi dominues në Europën Perëndimore dhe tani po përhapet edhe në Ballkan,” shtoi ai.

“Me këtë ritëm, Instituti për Metrikat dhe Vlerësimin e Shëndetit (IHME) parashikon që më shumë se 50% e popullsisë në rajon do të infektohet në gjashtë deri në tetë javët e ardhshme,” tha ai.

Provat kanë treguar se Omicron është shumë më i transmetueshëm se lloji origjinal i virusit ose varianti Delta. Është gjithashtu më rezistent ndaj personave të vaksinuar plotësisht, të cilët mund të riinfektohen.

Gjithashtu 20,400 vdekje u regjistruan gjatë shtatë ditëve të fundit në rajonin e Europës të mbuluar nga OBSH, i cili gjithashtu mbulon edhe pjesë të Azisë Qendrore me një popullsi totale prej rreth 900 milionë. Ka një rënie të lehtë në krahasim me javën e kaluar kur më shumë se 22, 600 persona humbën jetën.

Numri i vdekjeve mbetet nën shifrat e regjistruara gjatë dimrit 2021, kur varianti Delta po përhapej me shpejtësi në të gjithë Europën.

Fjalimi i Kluge vjen pak ditë pasi shefi i OBSH-së, Dr. Tedros Ghebreyesus Adhanom, theksoi se “ashtu si variantet e mëparshme, Omicron po shtron njerëz në spital dhe po vret njerëz”./Euronews/


Shtuar 11.01.2022 15:23