“Nuk zgjohesh kampion.” Politikanët nevojë për palestër? Përgjigjet Marin Meksi

Diplomati i mirënjohur Marin Meksi, njëkohësisht edhe bodybuilder profesionist ishte fituesi i garës për Bodybuiling dhe Fitness “Kupa e Shqipërisë”, ku fitoi çmimin e kampionit absolut dhe njëkohësisht të drejtën për të përfaqësuar Shqipërinë në Spanjë. I ftuar në ‘Abc e Pasdites” me Ermal Peçi, Meksi rrëfeu sfidat e përfaqësimit dhe të fshehtat mes dy botëve ku ai jeton; sportit dhe diplomacisë.

“Është vërtetë e vështirë përtej modestisë të gjesh kohë për të dyja. Ndryshe është një ditë e zakonshme dhe ndryshe është një rutinë përpara garave. Përpara garave ti duhet të zgjohesh në orën 4 që në orën 5 të bësh stërvitje, që në orën 8 të shkosh në punë dhe të respektosh të gjitha protokollet. Zotësia është t’i bësh të gjitha. Është e thjeshtë të gjesh justifikime.” – shprehu ai.

Meksi i është dedikuar sporteve të forcës prej 22 viteve, ku ndërkohë mbante dhe poste të ndryshme diplomatike. Ai shprehu se “ambicia nuk të le të pushosh dhe kur krijon një emër, fillon dhe punon emri për ty”.

Ermal Peçi nuk e la pa ngacmuar sportistin, duke e pyetur se cili politikanë shqiptar nuk kujdeset mirë mjaftueshëm për veten dhe fizikun e tij. Por Meksi si një diplomat i pashoq u përgjigj:

“Nga politikanët, kanë të stërvitur shumë mirë mendjen. Të gjithë kanë notën 10 sepse vishen bukur, mbahen… ata përfaqësojnë veten e tyre, familjen, një krah politik dhe njerëzit që përfaqësohen prej tyre. Ndoshta janë shumë pak të përkujdesur sepse përkushtohen por mënyra e jetës më pëlqen.”


Shtuar 10.11.2021 18:46