Nuk shkel më dot në SHBA: Kush është Sali Berisha, doktori që zotëroi politikën shqiptare?

Sali Berisha u shpall sot “non grata” nga SHBA.

Po kush është doktori që zotëroi politikën shqiptare në 30 vite pluralizëm?

Berisha, lindi më 15 tetor të vitit 1944, në fshatin Viçidol të Tropojës. Sali Berisha është i martuar me Lirinë, e cila është pediatre dhe kanë dy fëmijë; një vajzë, Argitën, dhe një djalë, Shkëlzenin. Berisha zotëron gjuhën angleze, frënge, italiane,ruse dhe gjermane. Që në vegjëli ka rënë në sy si i apasionuar pas leximit, me një vullnet të hekurt për të lexuar. Arsimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Tiranë.

Në vitin 1963 nisi studimet për mjekësi në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua më 1967 dhe më pas u specializua për kardiologji. Në vitet ’70 u emërua profesor në Universitetin e Tiranës. Mbas vdekjes së diktatorit komunist Enver Hoxha, Berisha shpresonte që pasardhësi i tij Ramiz Alia do të zbuste politikën e ashpër të paraardhësit të tij dhe do të inkurajonte ndryshimet. Me krijimin e partisë së parë anti-komuniste, Partisë Demokratike, ai ishte një nga drejtuesit kryesorë të saj.

Në shkurt të vitit 1991, ai u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike, ndërsa që nga ai vit nuk ka munguar pa u zgjedhur në çdo legjislaturë, përveç viteve kur ka shërbyer si president i vendit.  Pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, Berisha u zgjodh President i Republikës më 9 prill 1992, por 4 vite më vonë rënia e skemave piramidale në fund 1996, në të cilat shqiptarët humbën miliona dollarë, çoi në demonstrata masive. Njerëzit akuzonin qeverinë për vjedhjen e parave! Me shtimin e trazirave, Berisha u detyrua që të dekretonte zgjedhjet e parakohshme në qershor 1997. Këto zgjedhje u fituan nga opozita dhe pas kësaj Berisha dha dorëheqjen si President.

Pasi përfundon detyrën si president, Berisha ri-zgjidhet kryetar i Partisë Demokratike, duke qëndruar në “ballë” të demokratëve deri në 26 qershor 2013. Postin e kryeministrit të Shqipërisë, Berisha e mbajti nga viti 2005 deri në 2013. Gjatë qeverisjes së Berishës u krijuan kushtet për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO gjë që u realizua më 2 prill 2009. Anëtarsimin në NATO, Berisha e shoqëroi me shprehjen emblematike: This is a miracle of freedom! Gjithashtu u plotësuan të gjitha kushtet dhe kriteret për heqjen e vizave me vendet e Bashkimit Europian.

Por qeverisja e tij është përballur edhe më shumë akuza! Në vitet e tij si president i vendit, Berisha u akuzua si personi që lejoi firmat piramidale në Shqipëri, duke shkaktuar luftë civile dhe trazira si asnjë herë më parë në vend. Po ashtu Berisha akuzohet se ka ndikuar në burgosjen e kundërshtarit të tij politik, Fatos Nano.

Shtuar 19.05.2021 16:45