Nuk pranuan të vaksinoheshin, pezullohen nga puna 3 000 mjekë dhe infermierë

Rreth 3 000 punonjës shëndetësorë në Francë janë pezulluar sepse nuk u vaksinuan kundër Covid-19. Vendimi i ri i qeverisë e bëri të detyrueshëm vaksinimin për punonjësit e spitaleve dhe azileve. Numërohet se në të gjithë vendin janë rreth 2.7 milion mjekë, infermierë dhe sanitarë, të cilët kanë detyrim bërjen e vaksinës.

Ministri francez i Shëndetësisë Olivier Veran tha të enjten se “shumica e pezullimeve janë vetëm të përkohshme”. Presidenti Emmanuel Macron njoftoi së pari punëtorët për ndryshimin e rregullit më 12 korrik, duke i paralajmëruar ata se ata kishin nevojë të merrnin të paktën një vaksinë deri në 15 shtator ose të jepnin dorëheqjen nga puna e tyre.

“Unë jam i vetëdijshëm për atë që po kërkoj nga ju dhe e di që ju jeni gati për këtë angazhim, kjo është pjesë, në një farë mënyre, e ndjenjës suaj të detyrës,” tha ai në atë kohë.

BBC shkruan se pas njoftimit të presidentit, Doctolib, uebfaqja që njerëzit përdorin për të prenotuar vaksinat e tyre, ra pasi kaq shumë njerëz u përpoqën të linin takim. Megjithatë, me vendimin tashmë në fuqi dhe mijëra mjekë dhe infemierë që refuzojnë vaksinën rrezikon futjen e sistemit shëndetësor në kolaps.

Në vetëm një spital në Nice, në Francën jugore, për shembull, janë pezulluar rreth 450 punonjës, të cilët kanë protestuar jashtë ndërtesës. Dhe në një qytet tjetër jugor, Montélimar, një spital konfirmoi se tashmë kishte filluar anulimin e operacioneve jo urgjente për shkak të mungesës së anestezistëve të vaksinuar, raporton agjencia e lajmeve AFP.

“Ne duhet t’i mbajmë këta njerëz në punë derisa të zëvendësohen,” tha Christophe Prudhomme, një mjek i urgjencës dhe deputet i krahut të majtë. Ndërkohë, mjekët dhe infermierët e Shqipërinë kanë datën 29 shtator si limitin për t’u vaksinuar.


Shtuar 16.09.2021 15:33