Nuk mjaftoi as “kasapi i Sirisë”, ja kush është “gjeniu” i doktrinës ruse që mund të ndryshojë rrjedhën e luftës

Është gjenerali më i madh në rang, pas ministrit të mbrojtjes Sergei Shoigu, dhe ka vendosur të marrë vetë përsipër strategjinë e sulmit rus në Ukrainë.

Valery Gerasimov shihet si një autoritet ne fushën e doktrinës ushtarake, dhe jo vetëm në Rusi. Ai cilësohet si babai i teorisë së luftës hibride, që kombinon elementë të ndryshëm gjatë një fushate ushtarake. Jo vetëm armë, por sulme teknologjike, diplomatike, ekonomike dhe veçanërisht mediatike.

Ishte shkurti i vitit 2013 kur gjenerali botoi një artikull që shënoi një epokë të re në qasjen ruse ndaj luftës.

Në rreth 2 mijë fjalë, Gerasimov shpiegoi se “ligjet e luftës kanë ndryshuar. Roli i mënyrave jo ushtarake për të arritur objektiva strategjike është rritur, madje në disa raste ka kapërcyer edhe elementin ushtarak”.

Por ditët e fundit, gjenerali strateg është parë krahas përgjegjësve të tjerë në qytetin ukrainas të Izyum, 50 mijë banorë në mes të Karkivit dhe Donjeckut.

Sipas ekspertëve të sektorit, si ato të Institute for the Study of War, ardhja në front e gjeneralit madhor rus gjen domethënien e saj pas kritikave të shumta, edhe pse jo publike, të Kremlinit ndaj përgjegjësit të sotëm, gjeneralit Oleksandr Dvornikov, i cilësuar si “kasapi i Sirisë”, për shkatërrimin dhe vdekjet që solli gjatë konfliktit në atë vend.

Dvornikov kishte marrë drejtimin e operacioneve më pak se një muaj më parë, por burime thonë se Putin nuk eshte i kënaqur me ecurinë e fushatës,  fitoret ruse janë me pikatore, ndërkohë mjetet ruse shkatërrohen çdo ditë në fushëbetejë.

Ditët e fundit, pas dukjes së Gerasimov, diçka po ndryshon për rusët dhe këtë po e monitorojnë e dhe të gjithë hulumtuesit. Rusët kanë filluar të avancojnë pa ndërprerje, edhe pse me ritme disi të ngadalta, duke synuar aksin që ndan Ukrainën në dysh. Janë disa qytezat e pushtuara ditët e fundit në perëndim të qytetit Izyum, edhe falë rritjes domethënëse të batalioneve të përdorura, 92 kundrejt 82-ve që luftonin një javë më parë atë zonë.

Futja në linjë të parë të ushtrisë nga Gerasimov tregon se presidenti rus Vladimir Putin e ka tejet të rëndësishëm një rezultat konkret që mund t’i tregohet popullit brenda festimeve për fitoren ndaj nazi-fashizmit, më 9 maj.