Dhjetëra pasagjerë bllokohen në Bari, avioni i Wizz Air nuk niset prej mbrëmjes së djeshme

Futja e kompanisë së fluturimeve Low Cost Wizz Air në Shqipëri pritej që të ulte pak çmimet si edhe të përmirësonte shërbimin, por duket se të dyja këto janë ende larg.

Qytetarë që mbeten në aeroporte duke pritur për orë të tëra apo fluturime që anulohen papritur janë një panoramë thuajse e përditshme e WizzAir, ndërkohë që një qytetar është ankuar sëfundmi në rrjetet sociale se kanë ngecur në Bari prej mbrëmjes së djeshme dhe nuk e dinë ende se kur do të nisen për në Shqipëri.

As nuk na nisin një tjetër avion e as nuk po rregullohet ky që thonë se ka pësuar defekt. Duhet të ishim nisur dje në orën 18:20 dhe akoma nuk e dimë kur dhe nëse do të nisemi. Ndërkohë ka shumë njerëz që presin ndër të cilët të moshuar e fëmijë. Ju lutem bëjeni publik problemin tonë, pasi orët kalojnë dhe ende nuk ka një zgjidhje për ne”, shkruan ai.

AlbEu verifikoi pretendimin e qytetarit përmes të dhënave të raportuara nga FlightRadar dhe rezulton se avioni në fjalë duhej të nisej në orën 19:15 nga Bari dhe nuk është nisur. Po ashtu, pas interesimit që bën në aeroportin e Rinasit rezulton se ai duhej që të zbriste aty në orën 20:15 dhe nuk ka zbritur ende.

Vetë kompania nuk ka bërë asnjë njoftim në lidhje me këtë fluturim, ndërkohë që autoritetet heshtin. /albeu.com

 


Shtuar 6.06.2023 15:59