Nga universitetet në rrugët e kryeqytetit, protesta në Shqipëri po merr përmasa më të gjera. Të rinj dhe të moshuar kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa studentët denoncojnë korrupsionin, kushtet e vështira në universitete dhe mungesën e perspektivës për të ardhmen.
“Po protestojmë me dhunë, sepse nuk kemi më asgjë për të humbur. Ata duhet të na dëgjojnë”.
Të lidhura
None found
Sipas reportazhit, kryeqyteti është përfshirë nga përplasje të dhunshme, me kazanë mbeturinash të përfshirë nga flakët, vitrina të thyera dhe përballje mes protestuesve dhe policisë.
Tymit të zjarreve i është shtuar edhe ai i gazit lotsjellës, ndërsa situata në qendër të qytetit përshkruhet si kaotike. Në artikull thuhet gjithashtu se godina e Ministrisë së Arsimit është dëmtuar rëndë.
Gazetarja italiane e lidh përshkallëzimin e protestave me atë që e cilëson si një lëvizje të udhëhequr nga studentët shqiptarë, të cilët kanë dalë në rrugë për të kërkuar ndryshime dhe përgjegjësi nga qeveria.
Studentët: Nuk protestojmë vetëm për arsimin, por për gjithçka
Në sheshin “Skënderbej”, gazetarja takon Marilisën, 26 vjeçe, studente e drejtësisë, e cila mban një maskë për t’u mbrojtur nga gazi lotsjellës. Pas saj, sipas përshkrimit në reportazh, një grup të rinjsh sapo kishte djegur një stol.
“E gjithë kjo është e nevojshme. Kemi pesë muaj që protestojmë në mënyrë paqësore, por asgjë nuk ka ndryshuar”, shprehet ajo.
Të njëjtin shqetësim ndan edhe Silvana, studente e informatikës së biznesit, e cila thekson se pakënaqësitë e studentëve shkojnë përtej sistemit arsimor.
“Ne nuk protestojmë vetëm për sistemin arsimor, por për gjithçka. Korrupsioni është kudo: në shkolla, në spitale”, thotë ajo.
Sipas Il Fatto Quotidiano, protestat në Shqipëri nisën në maj, në kundërshtim me projektin e Jared Kushnerit në ishullin e Sazanit, por më pas u shndërruan në protesta kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
“Edi Rama, jep dorëheqjen!”, është thirrja që, sipas gazetares, dëgjohet vazhdimisht nga protestuesit shqiptarë.
Reportazhi vë në dukje gjithashtu se, në një kohë kur protesta të të rinjve po zhvillohen në vende të ndryshme të Evropës, edhe studentët shqiptarë kanë dalë në rrugë për të kërkuar kushte më të mira në shkolla dhe konvikte.
“Punë gjen vetëm nëse paguan dikë”
Por kërkesat e studentëve nuk kufizohen te kushtet e studimit. Ata ngrenë shqetësime për mungesën e pajisjeve në universitete, kostot e larta të qirave dhe vështirësitë për të gjetur punë pas diplomimit.
“Në universitetet tona mungojnë pajisjet, qiratë janë jashtëzakonisht të larta dhe diplomat tona nuk vlejnë asgjë. Punë gjen vetëm nëse paguan dikë”, shprehet Silvana për median italiane.
Studentët thonë se deri më tani nuk janë dëgjuar nga institucionet dhe se kërkesat e tyre janë pritur me indiferencë. Sipas tyre, përshkallëzimi i protestave është një mënyrë për të tërhequr vëmendjen dhe për të marrë përgjigje nga autoritetet.
Megjithatë, ata theksojnë se synimi i tyre nuk është të largohen nga Shqipëria, por të ndërtojnë këtu të ardhmen e tyre.
“Ne nuk duam të largohemi nga vendi ynë. Duam të studiojmë këtu dhe të kemi një të ardhme më të mirë këtu”, thotë studentja.
Ndërsa Kristal, 23 vjeçe, gjithashtu studente, fajëson qeverinë për situatën në vend.
“Shkaku i gjithçkaje është qeveria. Ajo po e shet vendin. Shqipëria, në vend që të përparojë, po zhytet gjithnjë e më shumë në varfëri”, shprehet ajo.
Në protestë edhe të moshuarit: Këtu nuk ka pasur kurrë demokraci të vërtetë
Në rrugët e Tiranës nuk janë vetëm të rinjtë. Sipas reportazhit, në protestë janë bashkuar edhe qytetarë të moshuar, të cilët shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj politikës dhe mënyrës se si është qeverisur vendi ndër vite.
Bujare, 70 vjeçe, mban një pankartë ku denoncon 35 vite shkatërrim dhe korrupsion.
“Këtu nuk ka pasur kurrë demokraci të vërtetë. Ka pasur vetëm vazhdimësinë e diktaturës së vjetër, sepse në pushtet ishin ende fëmijët e komunistëve të dikurshëm”, shprehet ajo për gazetaren.
E pyetur nëse i mbështet dhunën dhe shkatërrimet e shkaktuara nga të rinjtë, 70-vjeçarja përgjigjet se, sipas saj, vendi drejtohet nga politikanë të korruptuar dhe se protestat e zhvilluara prej muajsh nuk kanë sjellë ndryshimin e kërkuar.
“Protestojmë prej muajsh dhe ata nuk largohen. Kemi arritur në këtë pikë, duhet të veprojmë në këtë mënyrë”, thotë ajo.
Megjithatë, në fund, Bujare thekson se qytetarët nuk duan gjakderdhje dhe as vrasje, por largimin e politikanëve që, sipas saj, janë përgjegjës për situatën.
“Ne nuk duam gjakderdhje dhe as vrasje. Duam vetëm një gjë: që këta politikanë të largohen”, përfundon ajo.
Reportazhi i Il Fatto Quotidiano sjell kështu zërat e studentëve dhe qytetarëve që shprehin pakënaqësi për korrupsionin, kushtet ekonomike dhe mungesën e besimit te institucionet, duke e paraqitur protestën si një lëvizje që shkon përtej kërkesave të arsimit dhe prek shqetësime më të gjera për të ardhmen e vendit.
Artikulli i Il Fatto Quotidiano: Albania, Tirana brucia e gli studenti sfidano Rama: “Più nulla da perdere, la corruzione è ovunque” – il videoreportage






