“Nuk kemi lajme të mira”, meteorologia: Shkodra do të goditet sërish nga moti i keq, probleme dhe në jug

Meteorologia Lajda Porja në një lidhje direkte për News24, ka paralajmëruar për një situatë kritike edhe në ditët në vijim sa i takon reshjeve të dendura të shiut, ku sërish më të rrezikuara do të jenë qytetet e veriut.

Ajo tha se Shkodra do të ketë sërish reshje shiu, ndërsa po ashtu edhe jugu, kryesisht Vlora, Gjirokastra, Tepelena dhe Përmeti. Sipas Porjas, pas ditës së enjte pritet një përmirësim i situatës sa i takon reshjeve pasi do të ketë ndërprerje, por do të pasohet nga ulja e temperaturave.

“Fatkeqësisht nuk është se vij me lajme të mira, aq më tepër për Shkodrën. Do të kemi disa orë për të marrë frymë, sonte gjatë natës në zonat veriore do ketë ndërprerje të reshjeve dhe do s’postohen në jug, por duke filluar nga mëngjesi i ditës së nesërme, në orën 08:00, do ketë zhvillim të dy vranësirave, dhe do jetë më e goditur Shkodra duke marrë reshje që nga e marta deri në orët e paradites së të mërkurës. Nuk mund të them se do merret e njëjta sasi që është marrë deri tani, por nga 80-100 ml. Kjo situatë është e monitoruar, zonat jugore kanë përkeqësim, Vlorë, Gjirokastër, Tepelenë Përmeti. Në orët e vona të së mërkurës do të ketë ndërprerje, por mëngjesi i së enjtes do raportojë akoma dhe më shumë probleme.

Është një situatë pak kritike sepse kjo vranësirë do gjenerojë reshje po në zonat veriore. Në jug të vendit do të kemi raportime, por nuk do jetë aq alarmante krahasuar me Shkodrën, Lezhën, Krujën, Durrësin apo Tiranën. Pas të enjtes nuk priten reshje për disa ditë me radhë, ndërkohë do të ketë rënie të temperaturave që nga mesi i javës. Pritet që të kalojnë në vlera negative një pjesë e mirë e zonave malore”, u shpreh ajo.


Shtuar 21.11.2022 11:59