Ish-Drejtuesi i Policisë së Shtetit dhe deputeti i PD, Asllan Dogjani ka folur në lidhje me atentatin në Larushk të Fushë Krujës, me një viktimë dhe dy fëmijë të plagosur.
Ai tha se nga mënyra e organizmit dhe kryerjes së këtij atentatit, kuptohet se ka një hakmarrje të jashtëzakonshme dhe një inat të madh.
Ngjarje të tilla, sipas Dogjanit, krijojnë panik tek qytetarët, teksa vuri në dukje guximin që grupet kriminale tregojnë e madje nuk i frikësohen as policisë.
“Ky lloj kriminaliteti tregon që autorët nuk kanë frikë nga shteti. Mënyra si kanë vepruar tregon se e njohin territorin. Të paktën njëri nga ata duhet të jetë banor i zonës. Fakti që kanë qëlluar me breshëri automatiku, tregon hakmarrje të jashtëzakonshme dhe nuk kanë pyetur nëse ka apo jo fëmijë”, tha ai në emisionin “Open”.
“Edhe nëse këta do të kenë qenë autorë të paguar, do të thotë se pagesa ka qenë e lartë sepse kanë qëlluar pa ndërprerje për të ekzekutuar objektivin.
Mund të jetë e lidhur me hakmarrje, larje hesapesh. Më bën përshtypje se ku e marrin guximin këto grupe, në një kohë që në zonën e Krujës është e njëjta skenë… digjet makina, autorë janë disa persona.
Çfarë bën policia e shtetit? Kjo ngjarje ka përcjellë panik e pasiguri tek qytetarët”, tha ai.