“Nuk ka bërë më shumë se 4 kilometra vrap: Trajneri “kryqëzon” Grezdën

Eros Grezda nuk po arrin të shfaq vlerat te Partizani. Pritshmëritë ishin të larta, por sulmuesi i krahut nuk po arrin të jetë protagonist te “Demat e Kuq”.

Trajneri Edmond Ruço është shprehur në studion e emisionit “Ora Sport” se futbollisti i Partizanit, nuk ka bërë më shumë se 4 kilometra vrapim në fushën e lojës në ndeshjen kundër Skënderbeut, që fitoi 1-0.

Një shifër shumë e ulët për një lojtar të nivelit të lartë, aq më tepër për Grezdën, që vjen te Partizani pas disa aventurash në Europë.

“Eros Grezdën e pashë në një moment loje që ngriti fanellën. Kishte kardiofrekuencmetrin. Por nëse sheh statistikat, ky futbollist nuk ma do mendja se i ka bërë 3-4 kilometra vrap në fushë. Me atë pozicion që ka ai, normalisht që nuk duhet të bëjë 12-13 kilometra, sepse nuk është mesfushor, është sulmues. Po as 4 km nuk i ka bërë, as ato që i takojnë”, tha Edmond Ruço.


Shtuar 2.10.2023 19:57