Arban Përlala, i njohur me emrin e artit si G-Bani, ishte i ftuar në “Abc e Pasdites”, tashmë i kthyer në vendlindje për një intervistë mbi karrierën e tij dhe këto rikthimet e shpeshta në Shqipëri. Si një nga pionerët e repit në Shqipëri, G-Bani shprehu se e ndjen që e kanë luftuar dhe ende e luftojnë pasi prezenca e tij i bën artistët e tjerë të tregut të ndihen të rrezikuar. Por ai gjithashtu rrëfeu se jeta e tij ka qenë e vështirë dhe me shumë pengesa, por kjo nuk e ka ndalur rrugëtimin e tij në muzikë.
“Shumë kanë luftuar. Kur u shkoj në ambjentet e tyre ndihen kaq në siklet. Nuk kam asgjë mangët përveç një syri të majtë që kam aksidentu kur kam qenë i vogël dhe një hunde të madhe etnike. Biles, ça kam më shumë? Flas 5 gjuhë të huaja, kam jetuar në shumë vende të botës, kam dëgjuar muzikë që në moshë të vogël. Kam dy prindër intelektual që ndoshta nuk më kanë dhënë pallate, por mua dhe vëllait tim na kanë bërë të lumtur, edhe në një vend si Greqi që janë sjellë shumë poshtërsisht me shqiptarët.” – shprehu G-Bani.
Ai është një artist shumë i dashur për brezat, jo vetëm ata që janë rritur kur muzika e tij ka dalë, por dhe rinia e sotme të cilët ende këndojnë këngët e G-Banit. Megjithatë imazhi i tij është shoqëruar me një reputacion jo fortë të mirë, kjo sipas G-Banit si pasojë e mediave që gjithmonë e kanë shoqëruar individin e tij me diçka që nuk është; një person që merret me punë ilegale dhe qe konsumon lëndë narkotike. Sa e vërtetë është kjo?
“Kam kredencialet, kam një biografi të pasur për ta quajtur veten horr e llum po të dua. Jam që i vogël rrugve të jetës. Drogaxhi nuk jam se nuk pi lëndët të klasit të parë, as kokainë, as heroinë, gjëra të tilla. Jam konsumues i hashashit, shumë lehtë mund të më konsiderojnë drogaxhi. Është gjëja më idiote t’i japësh brezit të ri gjërat negative të tuat. Por është gjëja më idiote kur brezi i ri përfaqësohet nga gazetarë të cilët kanë mundësi të vejnë në pah gjërat e mira që ke, cilësitë e tua positive. Por vetëm për tu bërë viral bëjnë si p*derasta, si perversa, mundohen të të ulin edhe ty vetëm për tu bërë viral e për të bërë lajm.” – tha krijuesi i hitit “Të dua”.